Transmetuar më 25-04-2014, 13:38

Tiranë, 25 prill 2014, NOA.al- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo, u ndal në varrezat e Tufinës, nga ku deklaroi se që nga dita e hënë nuk do të ketë më vend për të vdekurit.

Ai bëri të ditur se që nga dita e hënë shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit për familjet që humbin të dashurit e tyre nuk do të jetë më i mundur të ofrohet.

Në këtë linjë ai tha se, “Do u kërkoja të gjithë familjarëve që mes dhimbjes së tyre, t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit për të marrë një zgjidhje sepse Kryeministri ynë i ka të gjitha mjetet në dorë për të zhbllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe të lejojë shërbimin funeral të ofrojë shërbimet për të ndjerët e familjet e tyre. Pasi Kryeministri ka zgjedhur të mos lerë të qetë të gjallët, tashmë po merret edhe me mbretërinë që nuk i takon, nuk po lë në prehje edhe të vdekurit. Kjo tregon edhe njëherë tjetër që konflikti dhe lufta politike me Bashkinë e Tiranës ka tejkaluar çdo limit të fundit dhe të imagjinueshëm”.

Në vijim Bozdo theksoi se duhet gjetur një mundësi për ti varrosur në mënyrë dinjitoze, gjithë ata që humbin jetë, duke shtuar se Kryeministri duhet të dëgjojë qytetarët lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të lerë mënjanë interesat politike.

I pyetur nga gazetarët nëse ka bashkia një plan emergjent, Bozdo nënvizoi se hapësirat janë të gjitha të zëna, dhe tashmë po ofrohet shërbimi vetëm për varret ekzistues, pra për familjarët që kanë varre ekzistues.

Sipas tij përgjigjen e kësaj pyetje duhet ta japë Kryeministri, i cili siç tha Bozdo i ka të gjitha mjetet për të zhbllokuar projekt-buxhetin e Tiranës dhe për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, thellësisht emergjent./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit