Transmetuar më 24-04-2014, 13:49

Tiranë, 24 prill 2014, NOA.al – Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra një ditë më parë nga kreu i ALUIZNIT, Artan Lame. Nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi në një deklaratë për mediat u shpreh se, sulmet ndaj Bashkisë nga Artan Lame ishin politike dhe se ai mashtroi opinionin publik, për të fshehur paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tij dhe të shefit të tij.

“Ligji për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” është miratuar në vitin 2006, kohë në të cilën kryetar bashkie ishte Edi Rama. Dhe në këtë ligj përcaktohej se: “Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë, kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero”, mes të cilëve ndodhet edhe pallati i Artan Lames”, tha Xhindi.

Sipas saj,  kualifikimi i subjekteve bëhet që në momentin e deklarimit prej tyre të ndërtimit pa leje dhe mbështetur mbi studimet urbanistike para vitit 2006. Plani i përgjithshëm vendor së cilit i referohet zoti Lame është i vitit 2013, pra plot 7 vjet pas miratimit të ligjit për legalizimet.

Sipas bashkisë, dje z. Lame gënjeu se i ka kërkuar bashkëpunim Bashkisë së Tiranës lidhur me këtë çështje, pasi në Bashkinë e Tiranës nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare nga ALUIZNI.

Bashkia i ka kërkuar publikisht z. Lame që në ndryshimet që po i bën ligjit për legalizimet, të përfshijë edhe rregullimin ligjor të kësaj çështje e cila është injoruar nga ana e tij si dhe të heqë dorë nga retorike boshe, gënjeshtrat dhe konflikti politik. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit