Transmetuar më 24-04-2014, 13:02

Vatikan,24 prill 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama u prit sot në një audiencë të veçantë nga Papa Françesku. Kryeministri shprehu vlerësimin e lartë për rolin e Papa Françeskut në drejtimin e Selisë së Shenjtë dhe përkushtimin e tij të veçantë në promovimin e vlerave të solidaritetit, përfshirjes, mundësive të barabarta dhe drejtësisë shoqërore.

Rama e ftoi Papa Françeskun të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën Ati i Shenjtë e mirëpriti.

Pas audiencës, Rama zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Në këtë takim u diskutua për frymën e tolerancës fetare që mbizotëron në Shqipëri, si dhe rolin që Selia e Shenjtë luan në promovimin e dialogut ndërfetar dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, pas shembjes së regjimit komunist.

Në takim, Kryeministri shprehu domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, në përputhje me realitetet e reja në rajon.

Gjatë vizitës në Vatikan, Kryeministri Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda, Ministri i Jashtëm Bushati, Ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe Ministrja e Arsimit Nikolla.

Kryeministri ka postuar në rrjetin social “Twitter”,  dhe një foto nga momenti kur ai po shkon në Selinë e Shenjtë në Vatikan për tu takuar me Papa Franceskun.

Kryeministri e ka cilësuar të mrekullueshme audiencën me Papën.  “Audienca me Papa Franceskun një orë e mrekullueshme përballë thjeshtësisë së Njeriut.”- shkruan kryeministri. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit