
Tiranë,24 prill 2014, NOA.al- Në kuadër të reformës në shëndetësi, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka deklaruar se nga ana e qeverisë po punohet për përmirësimin e shërbimeve klinike.
Në fjalën e tij, Ministri Beqaj, duke falënderuar organizatorët, si dhe përfaqësuesit e projektit të “Mbështetjes për Reformën në Shëndetësi” të financuar nga USAID-i, për ndihmën e vyer dhe të pakursyer që kanë ofruar bujarisht në këtë projekt dhe nisma të tjera përgjatë këtyre viteve, theksoi se, “me mbështetjen që kanë marrë nga projekti i USAID-it ‘për administrimin shëndetësor’, spitalet publike në Shqipëri kanë ndryshuar mënyrën si administrojnë dhe si mbajnë të dhënat në lidhje me praktikat e barnave.”
Beqaj vuri në dukje faktin se “menaxhimi modern spitalor kërkon që spitalet të orientohen kryesisht drejt përmirësimit të shërbimeve klinike dhe të fillojnë të lehtësojnë veten nga menaxhimi i shërbimeve joklinike, ku proçedurat e outsourcing që promovohen brenda kulturës se rë menaxheriale të spitalit kërkojnë edhe përdorimin e teknikave të balancuara financiare.”
Ministri u ndal në rëndësinë që ka pasur ky projekt për të “institucionalizuar angazhimin e palëve të interesit në procesin e rritjes së transparencës dhe gjithëpërfshirjes, duke krijuar mekanizma të tillë qeverisës, ku zëri i komunitetit dhe ai i pacientit u vendosën në qendër të vëmendjes së politikëbërjes së bazuar në prova,” pasi, vazhdoi ai, “ashtu siç e kemi theksuar më se një herë, për ne, ministria e shëndetësisë, në raport me qytetarin është në rolin e “shërbyesit” dhe çdo administrator spitali duhet të reflektojë këtë koncept. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





