
Tiranë, 23 prill 2014, NOA.al- Në mbledhjen e sotme të qeverisë, të drejtuar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, janë miratuar një sërë vendimesh.
Ndër to spikat miratimi në parim i huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Rindërtimin e Rrugëve Bashkiake të Tiranës.
Një tjetër vendim i miratuar është edhe ai për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hapjen e Zyrës Konsullore pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
VENDIM
PËR MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTEVE NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË RRUGËVE BASHKIAKE TË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të dokumenteve ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E KONSULLATËS SË PËRGJITHSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË NJU JORK DHE HAPJEN E ZYRËS KONSULLORE PRANË MISIONIT TË PËRHERSHËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA NË NJU JORK TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
2. Hapjen e Zyrës Konsullore pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
3. Vendimi nr.585, datë 23.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





