
Përditësuar 25 prill 2014.
E dashura e Mario Bejdollarit: Ish-i fejuari vrau babain se s’donte të kthente lekët që i dhashë borxh
Zbardhet rrëfimi i vajzës së familjes Serselli, ish i fejuari i së cilës i vrau me thikë të atin dhe i plagosi nënën. Sipas saj, krimi ndodhi pasi djali nuk donte të kthente paratë që i kishin dhënë borxh.
Masakrimi me thikë dy net më parë në Vlorë i prindërve të ish-të fejuarës ishte paralajmëruar. 23-vjeçari Marjo Bejdollari ia kishte pohuar disa herë ish të fejuarës së tij se do t’ia vriste prindërit nëse ajo do t’u tregonte se i kishte dhënë atij shumën e 170 mijë lekëve.
M.Serselli, 19 vjeçe, ishte ndarë një vit më parë nga i fejuari i saj pas konflikteve e mosmarrëveshjeve që kishin me njëri-tjetrin. Por në kohën që ata ishin së bashku, vajza i kishte dhënë atij fshehurazi familjarëve të saj shumën e mësipërme të parave. Pas ndarjes ajo ia ka kërkuar paratë, por Marjo e kishte kërcënuar se nuk kishte ndër mend t’ia jepte dhe se nëse ajo do t’u thoshte gjë prindërve, ai do t’i vriste.
“I kisha dhënë 170 mijë lekë kur ishim të fejuar. Ia dhashë fshehurazi mamit e babit. Por ai nuk po m’i kthente. Më kërcënoi se do më vriste prindërit nëse unë u tregoja për paratë. Por erdhi momenti që unë duhej t’ua thosha, pasi nuk mund ta fshihja dot më mungesën e lekëve në shtëpi. Marjo më kishte paralajmëruar se do t’i vriste prindërit e mi nëse unë u thosha, por nuk e mendoja kurrë se ai mund ta bënte vërtet një veprim të tillë”.
Kështu është shprehur para grupit hetimor vajza 19 vjeçe e viktimës Agim Serselli. Mjaft e tronditur nga ngjarja tragjike që ndodhi në banesën e saj, studentja e Infermierisë u ka pohuar hetuesve se shkak i gjithë kësaj ngjarjeje kishte qenë pikërisht irritimi i tij për shkak se familjarët e saj i kishin kërkuar të kthente mbrapsht borxhin e pashlyer.
Ai është futur natën në banesë dhe la të vdekur babain e saj 48 vjeç dhe plagosi tri herë me thikë edhe nënën e saj, Dile Serselli. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se dje janë marrë në pyetje të dyja vajzat e familjes Serselli, por është ripyetur edhe Dile Serselli, e plagosura, si dhe familjarët e autorit të dyshuar për këtë vrasje, Marjo Bejdollari.
Masakra në Vlorë, i arrestuari: S’jam autori. Policia: I gjetëm bluzën me gjak
Vlorë, 23 prill 2014, NOA.al/ Klodiana Kotorri – “Nuk kisha asnjë arsye për të qëlluar me thikë çiftin e bashkëshortëve. Unë kam marrëdhënie të mira më atë familje. Më keni arrestuar kot sepse nuk jam unë autori i ngjarjes”.
Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë kriminale të Vlorës, 23-vjeçari Mario Bejdollari, lindur në Gramsh dhe banues në lagjen “24 Maji” në Vlorë, i cili akuzohet se vrau me thikë 48-vjeçarin Agim Serselli dhe plagosi rëndë bashkëshorten e tij Dile Serselli, 43 vjeçe.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës duke u gdhirë dita e sotme në Vlorë, kur 23-vjeçari dyshohet se ka hyrë na banesën e familjes Serselli, edhe këta me origjinë nga Gramshi. Ai ka hyrë përmes dritares së banjës duke shkuar drejt e në dhomën e çifti të cilët ndodheshin në gjumë. Autori iu drejtua kryefamiljarit duke e goditur 40 herë me thikë. Bashkëshortja e tij ka tentuar të frenojë autorin i cili nuk kishte të ndalur. Kryefamiljari gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa gruaja e tij mori tre plagë, dy në qafë dhe një në veshka gjatë përleshjes me autorin.
Zhurmat janë dëgjuar nga dy vajzat e çiftit të cilat flinin në dhomën tjetër të banesës. Të alarmuara ato kanë shkuar në dhomën e prindërve ku i gjetën atë të gjakosur.
Vajza e madhe ka dalë në dritare ku konstatoi autorin të largohej me shpejtësi të cilin e njohu. Britmat e tyre u dëgjuan nga fqinjët të cilët u erdhën menjëherë në ndihmë ndërsa njoftuan policinë. Forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje për të kryer zbardhjen e rrethanave. E plagosura u transportua në spital nga ku mësohet se ndodhet ende në gjendje kritike për jetën pasi është goditur tre herë me thikë në organet jetësore. Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve Noa.al se vajza e madhe tregoi identitetin e autorit i cili u arrestua në banesën e tij. Në lavatriçe policia gjeti bluzën e 23-vjeçarit të gjakosur të cilën ai e kishte futur menjëherë për ta larë. Sipas policisë, i riu ka shtangur kur është vënë në pranga duke mohuar akuzën por grupi hetimor tha se ka prova të pakundërshtueshme të cilat implikojnë atë në këtë masakër. Mësohet se viktima, ka punuar si punëtor ndërtimi ndërsa bashkëshortja e pa punë.
Ata janë prindër të dy vajzave, njëra në shkollën 9-vjeçare dhe tjetra, në vitin e parë në Universitet të Vlorës. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivin e krimit. Policia ka ngritur dy pista hetimit njëra prej të cilave është një lidhje dashurie e mundshme e 23-vjeçarit me një nga vajzat e çiftit Seraseli ndërsa pista tjetër është edhe një borxh që autori i kishte viktimës.
Gruaja e 48-vjeçarit kishte shkuar një ditë më parë në banesën e të riut për ti kërkuar borxhin. Ai i kishte thënë se për momentin nuk mund të shlyente borxhin. Pritet përmirësimi i Dile Sersellit me qëllim marrjen në pyetje pasi dëshmia e saj mund të zbardh motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje.
Masakër me thika në Vlorë
Masakër me thikë ka ndodhur natën duke gdhirë dita e sotme në Vlorë, një burrë ka gjetur vdekjen dhe bashkëshortja e tij po lufton për jetën në spital.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur tek ish Ushqimorja në qytetin e Vlorës.
Mario Kajo Bejdollari, 23 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në lagjen “24 Maj”, Vlorë, mesnatën duke hyrë e mërkura ka hyrë në banesën e çiftit dhe ka vrarë me mjete të mprehta brenda shtëpisë, 48 vjeçarin Agim Seraseli.
Në këtë masakër me thikë, Mario Bejdollari dhe ka plagosur rëndë me thikë bashkëshorten e 48 vjeçarit, shtetasen D. Seraseli, e cila ndodhej në banesë.
Policia thotë se ka arrestuar të riun Mario Kajo Bejdollari duke e akuzuar për vrasjen e 48 vjeçarit Agim Seraseli, lindur në Gramsh dhe banues në Vlorë në lagjen “24 Maji” si dhe për plagosjen e të shoqes së të ndjerit.
Burime në vendngjarje i thanë agjencisë noa.al se vrasja është kryer me thikë dhe autori ka qëlluar dhjetëra herë në trupat e bashkëshortëve duke i marrë jetën njërit dhe duke lënë në koma të shoqen e viktimës.
Nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë është bërë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Vrasje në rrethana të cilësuar” dhe “Plagosja e rëndë me dashje” për Bejdollarin. Policia thotë se po heton krimin, ende nuk ka një pistë zyrtare mbi shkaqet.
Nga burime jozyrtare policore bëhet e ditur për noa.al se dyshimet e para janë se vrasja është kryer për motive dashurie. I dyshuari Mario Bejdollari ka pasur një lidhje dashurore me vajzën e çiftit. Duket se burrë e grua nuk kanë qenë entuziastë për këtë lidhje dhe ngjarjet kanë precipituar tragjikisht. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





