Transmetuar më 22-04-2014, 22:29

Ish-menaxheri i skuadrës së Lance Armstrong, Johan Bruyneel dënohet me 10 vjet skualifikim për përfshirjen e tij në raste të përsëritura dopingu.

Agjencia Amerikane e Anti-Dopingut USADA bëri të ditur gjithashtu edhe pezullimin për një periudhë 8-vjeçare të doktorit Pedro Celaya dhe trajnerit Jose “Pepe” Marti, që në bashkëpunim me Johan Bruyneel, kanë punuar së bashku me çiklistin e famshëm amerikan Lance Armstrong te ekipi US Postal Service.

Sipas komunikatës zyrtare të USADA-s, 49-vjeçari belg ishte në majën e një grupimi njerëzish, që në fshehtësi të plotë merreshin me shpërndarjen e dopingut, me qëllim përfitimi në rezultate në garat e rëndësishme çiklistike.

Pikërisht për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara në vitin 2012, çiklistit teksan iu hoqën 7 titujt e fituar në Turin e Francës, madje po atë vit “Le Boss” u pezullua për jetë nga ky sport.

Vetë Armstrong e pranoi diçka të tillë vetëm në janar të vitit 2013, gjatë një interviste të drejtprëdrejtë televizive në programin e famshëm të Oprah Ëinfrey.

Provat që dolën më vonë vërtetuan më së miri edhe shpërndarjen e substancave të ndaluara dhe organizimin e fshehtë në skuadrat US Postal Service e Discovery Channel, veprimtari kjo e shtrirë për vite të tëra dhe në shumë çiklistë të tjerë.

Një tjetër detaj interesant është se Johan Bruyneel, dikur çiklist edhe vetë, ka qenë menaxher i Lance Armstrong gjatë gjithë periudhës 7-vjeçare, nga viti 1999-2005 kur 42-vjeçari fitoi Grande Boucle.

Dy doktorët e tjerë, spanjolli Luis Garcia del Moral si dhe italiani Michele Ferrari u skualifikuan për jetë nga çiklizmi profesionist, në korrik të vitit 2012 nga USADA.

Asokohe në një deklaratë lidhur me ekipin amerikan US Postal Service, Agjencia Amerikane e Anti – Dopingut e quajti veprimtarinë e kësaj skuadre si aktivitetin më të sofistikuar, më të profesionalizuar dhe më të sukseshëm të dopingut, që sporti ka parë ndonjëherë.

Johan Bruyneel pas raportit të detajuar të USADA-s dhjetorin e kaluar e dërgoi çështjen e tij në një panel arbitrazhi në Londër, të përbërë prej tre vetësh që e skualifikoi deri më datën 11 qershor të vitit 2022.

Menjëherë pas këtij vendimi, Johan Bruyneel deklaroi se ka ndërmend të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, sepse sipas tij është shumë e gabuar që të ndëshkohen vetëm 6 persona për mëkatet e një gjenerate të tërë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit