Transmetuar më 22-04-2014, 22:04

INTERVISTA/ Është lindur e rritur në Durrës, por origjina është nga Çamëria, ose më mirë të themi nga Filati. Një qytezë e bukur, me mjaft gjelbërim dhe bukuri natyrore. Në Çamëri ka shkuar dhe vërtet është magjepsur nga ai vend. Një vend që të mrekullon dhe të shton dëshirën ta vizitosh vazhdimisht. Gjyshi i ka folur vazhdimisht për ‘të dhe ai që i vogël e kishte në parafytyrimin e tij. Është 17 vjeç dhe është në vit të dytë të shkollës së mesme në Durrës.

Intervistoi: Albert Zholi

Sa vjeç jeni? Unë jam 17 vjeç dhe jam në vit të dytë të shkollës së mesme në Durrës.

Kush ju nxiti që të merrnit pjesë në Mister Durrësi 2014? Në fillim më zgjodhën në shkollë, pastaj unë bëra me dije prindërit. Pra ishte një dëshirë e përbashkët që unë të konkurroja. Ishte një rastësi, por që më pëlqeu.

Pas këtij momenti, mos vallë do merreni me modelim, apo si synim keni vetëm shkollën e lartë?

Rruga e modelimit do të jetë dytësore pasi primare kam të kryej shkollën e lartë për informatikë.

Përse keni zgjedhur këtë degë për të vazhduar shkollën e lartë? Pasi unë i dashuroj lëndët e matematikës dhe të fizikës, pra edhe elektronikën. Jetoj me botën e internetit. Janë lëndët e mia të preferuara që më bëjnë të ndihem mirë.

Po raportet me letërsinë si i keni? Jo aq të mira, ndaj them që do vazhdoj për informatikë.

Jeni frekuentues i pijeve alkoolike dhe duhanit? Jo, as i kam përdorur kurrë. Mund të pi ndonjë gotë birrë në shtëpi në kohë të posaçme. Nuk më shijojnë. Familja nuk më ka lënë t’i frekuentoj. Por unë mbaj regjim për trupin, nuk abuzoj, bëj palestër.

Me se merreni në kohën e lirë? Lexoj ndonjë libër shkoj në not, por edhe në aktivitete të ndryshme.

Mendoni të jetoni pas një viti i shkëputur nga familja? Absolutisht jo. Jam i lidhur shumë me familjen, aty gjej qetësinë, sigurinë, ngrohtësinë që s’mund ta gjej gjetiu.

Si janë lidhjet me internetin. A je në vartësi të tij? Futem rregullisht pasi është në ambiciet e mia të ardhshme, por me masë. Aty marr shumë informacion që do më shërbejnë për atë çka do të studioj.

Jeni 17 vjeç, keni të dashur? Nuk mund të them të dashur, por kam shoqe që rri më shumë, flasim për shkollën librat, të ardhmen. Kjo është mosha më e bukur, ku njeriu duhet të ketë një shoqe.

Veshja juaj e preferuar? Sportivja e kombinuar me klasiken. Nuk e dua uniformë.

Celulari që pëlqeni? “IPhone As”. Ose më mirë më pëlqen çdo celular i ri.

Ju e keni vizituar Filatin, aty keni tokat e gjyshit, keni menduar të jetoni aty? Jo. Durrësin s’e këmbej me asnjë. Aty më pëlqen të shkoj me pushime, por jo më shumë. Në Durrës kam njerëzit, miqtë, shokët, njoh shumë njerëz.

Cilat janë pantallonat që pëlqeni më shumë? Xhinset dhe pantallonat e dokut, pëlqej më shumë. Markat nuk i kam problem, vetëm të jenë të tilla dhe të më rijnë mirë.

Keni tentuar të provoni hashash? Kurrë. As mendoj ndonjëherë t’i afrohem.

Çfarë do të thoshe për organizatorët e Miss dhe Mrs. Durrësi 2014? Mund të them fjalët më të mira. Presidentja e shoqatës znj. Myzejen Konduri na është sjellë si nënë, na ka ndihmuar, na ka hequr emocionet, na ka bërë të ndihemi më të lirshëm. Të gjithë konkurrentët janë ndjerë si një familje pa asnjë diferencim. Na kanë dhënë këshilla si në një familje të madhe.

Sa vende keni vizituar? Disa vende të Europës si Franca, Italia, Greqia etj… Franca më ka ngelur në mendje.

Kurorëzimi i Miss & Mr Durrësi 2014

Spektakli i Miss & Mrs. Durrësit, gara e përvitshme e bukurisë durrsake që u zhvillua në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” plot emocione e surpriza, zgjodhi Mbretin & Mbretëreshën e bukurisë rinore të vitit 2014, në mes të 32 konkurrentëve.

Ata ishin 16-vjeçarja Ida Velaj dhe 17- vjeçari Redi Hazbiu, nxënës të një shkolle jopublike.

Juria e përbërë nga personalitete të kulturës dhe artit si Olta Gixhari, aktore e skenës dhe e ekranit, Olti Curri, gazetar në Top -Chanel, Noizy, këngëtar i njohur, të tre bij të këtij qyteti etj., s’e patën të lehtë.

Stafi profesional i këtij produksioni që drejtohet nga znj. Myzejen Konduri që nga përzgjedhja e konkurrentëve, skenografia e skenografit Baftjar Kadriu, stilimet e Anisa Korrikut që i ka dhënë provat e saj brenda e jashtë vendit, koreografia e të mirënjohurit Arjan Plaku, paraqitja e tyre estetike nga Parukeri “Miss Fantazi” drejtuar nga Nina Beqiraj dhe puna e grimieres Elona Dajko, prezantuesit e talentuar Xheni Konduri e Ervin Pepaj, bënë që konkurrentët të shkëlqenin.

Artistët e ftuar si Noizy, Dr. Flori, Lea Legisi, grupi i valleve, me këngët e vallet krijuan atmosferë festive duke e ngritur peshë publikun.

Në këtë kohë krize të rinjtë e të rejat kërkojnë pak gëzim duke ecur drejt ëndrrave për sukses. Eventi i bukurisë durrsake tashmë e ka vulosur popullaritetin e suksesin e tij. Bashkia & donatorët e qytetit vazhdojnë ta mbështesin këtë garë rinore, pa të cilët s’do të bëhej realitet ëndrra rinore.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit