Transmetuar më 22-04-2014, 18:27

Ekipi shqiptar i peshëngritjes, që i siguroi 6 medalje Shqipërisë, ndër të cilat 2 ari në Europianin e shtangës që u zhvillua në Tel Aviv, u prit në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, citon Supersport.

Kryeparlamentari, i cili ka një lidhje të ngushtë me këtë sport, u shpreh se veçanërisht politikanët duhet të ndihen të nderuar nga sportistët elitarë për imazhin pozitiv që përcjellin në botë.

“Të gjithë ndjehemi të detyruar, sidomos ne politikanët, ndaj Erkandit dhe Danielit, të cilët me aq dinjitet e kthyen garën në një garë brenda flamurit kuq e zi, duke bërë të mundur që të ngrenë me aq dinjitet flamurin kombëtar dhe t’u japin dinjitet gjithë shqiptarëve kudo në të gjithë botën.

Ndihemi të detyruar, sepse këta e kanë kryer me sukses detyrën e tyre, ndërsa ne na mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim. Madje na duhet të marrim shembull prej tyre.

Më pas Meta premtoi mbështetje konkrete për sportistët elitarë duke përmirësuar legjislacionin për sportin.

Shprehim mbështetjen tonë si Kuvend, si shtet, si mazhorancë, si qeveri, për të mbështetur ëndrrën e këtyre djemve dhe vajzave, për të ngritur flamurin e Shqipërisë edhe më lart në kampionate botërore, olimpiada.

Unë besoj se i kemi të gjithë mundësitë. Përveç përkrahjes morale, politike, përkrahja do të jetë konkrete nga ana e qeverisë dhe parlamentit, përmes përmirësimeve në legjislacionin për sportin, ku detyrimet e shtetit do të jenë më të qarta dhe më konkrete në mënyrë të veçantë drejt sportistëve elitarë. Do të jemi në dialog të vazhdueshëm me ta.”

Ndërsa përmendi sportistët kampionë të peshëngritjes dhe trajnerin e tyre, Meta kujtoi me një batutë të kaluarën e tij si peshëngritës, duke thënë: “Shumë kampionë në pak metra katrorë, përveç meje”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit