
Tiranë, 22 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, deklaroi se mazhoranca refuzon bashkëjetesën demokratike.
Sipas tij, shqiptarët nuk kanë parë asgjë akoma në krahasim me atë që dyshja Rama- Meta iu kanë rezuervuar këtë javë e në vijim.
“Axhenda Rama-Meta ka paralajmëruar dhe kalendarizuar marrjen e të drejtës së propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së nga Presidenti i Republikës. Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një instrument kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, garanton rolin e saj në luftë për transparencë dhe kundër korrupsionit qeveritar. Me marrjen e kësaj kompetence të Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së, e fut atë nën tutelën e vetë dhe legalizon kapjen e paligjshme që shumica orkestroi në Kuvend para dy muajsh. Po këtë javë, shumica Rama-Meta ka programuar dhe futur në kalendarin e Kuvendit manipulimin elektoral dhe politik të hartës administrative territoriale të vendit, përmes një pseudoreforme, pa konsensus me opozitën, dhe kundër interesave të qytetarëve. Megjithë thirrjet tona të përsëritura për një reformë të vërtetë, me konsensus dhe për qytetarët, shumica si asnjëherë në këto 23 vite, e përsëris, si asnjëherë në këto 23 vite, refuzoi konsensusin në Kuvend, pra refuzoi bashkëjetesën demokratike”, u shpreh Basha.
Në vijim ai shtoi se po dje, shumica i hapi rrugë miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit ku përkundër zotimeve fillestare u tërhoq nga transparenca e Tatim-Taksave, para KLSH, duke shtuar se institucioni më i rëndësishëm që mbledh paratë e shqiptarëve, mbledh taksat e tyre, lihet jashtë kontrollit dhe jashtë transparencës.
Ai theksoi se si asnjëherë në 23 vite është refuzuar konsensusi në Kuvend dhe bashkëjetesa demokratike.
Basha kërkoi që mazhoranca të heqë dorë nga kapja e shtetit, pasi në të kundërt do përballet me revoltën mbarëpopullore.
Kryeopozitari nënvizoi se Republika Parlamentare e Shqipërisë, demokracia, shteti ligjor po kërcënohet si asnjëherë tjetër deri më sot nga rreziku i zëvendësimit me oligarkinë Rama-Meta.
Kreu i opozitës theksoi se bashkë me sovranin do të mbrohet demokracia. Lidhur me mundësinë e përfshirjes së infrastrukturës së ushtrisë në trafikun e drogës, ai theksoi se duhet bërë transparencë.
“Do mbrojmë demokracinë, me çdo kusht, me çdo çmim”, tha ndër të tjera kryedemokrati i pyetur nëse do të ketë protesta./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





