Transmetuar më 22-04-2014, 09:09

Data 22 prill, njihet në gjithë botën, si Dita Ndërkombëtare e Tokës. Kjo është një ditë që shërben për të dhënë alarmin për demet që njerëzimi i shkakton pyjeve, lumenjve, tokës dhe pasurive të tjera të natyrës dhe të reflektohet dhe sensibilizohet për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm te saj

Ideja për Ditën e Tokës është zhvilluar që nga viti 1962. Senatori GaylordNelson, pas shumë përpjekjeve dhe takimeve, arriti që idenë për Ditën e Tokës, si çështje mjedisore, ta fusë në programin politik.

Më 22 Prill 1970 në SHBA u mbajt një manifestim i madh mjedisor,i pari i këtij lloji, prej nga edhe doli ideja për shpalljen e kësaj date si Dita e Planetit Tokë. Qëllimi i kësaj date mbetet mbrojtja fundamentale e planetit Tokë dhe të gjitha resurseve të saj nga ndotja.

Dita e planetit Tokë, është një lëvizje e cila angazhohet për përfshirjen e të gjithëve në mbrojtje të Tokës.

Më 22 prill, në mbarë botën, dashamirëse të mjedisit organizohen një varg aktivitetesh për të mirën e mjedisit dhe të njeriut, si: aktivitete pastrimi, gjelbërimi, pyllëzimi, manifestime në formë protestash, ekspozita, koncerte, vizita, peticione, orë edukative me nxënës, konferenca shkencore lidhur me problemet mjedisore etj.

Edhe në vendin tonë do të organizohen disa aktivitete në këtë ditë.

Mësohet se Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni do të festojë  Ditën Botërore të Tokës në  qytetin e Lezhës.

Në bashkëpunim me Bashkinë, Shoqatën e Turizmit, Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Ambasadën Amerikane në nismën e saj “Qytetet e Gjelbërta”, Ministria organizon panairin e Kulinarisë me prodhime lokale të zonës së Lezhës, të cilat ruajnë dhe zhvillojnë parimet e turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.

Në sheshin para Memorialit të Skënderbeut do të organizohet ekspozita turistike, e cila synon të promovojë potencialet turistike të vendit tone. Këto aktivitete synojnë zhvillimin e një modeli të produktit turistik lokal duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ministrja Gjermeni dhe zv.Ambasasadori amerikan Henry V. Jardine do te vizitojnë panairin dhe do të përcjellim mesazhet në Ditën e Tokës në orën 12.30. Grupi me biçikleta niset nga Shkodra dhe mendohet të arrijnë në Lezhë rreth orës 12.30. për të vazhduar më pas itinerarin e rrugëtimit të tyre për në Sarandë. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit