Transmetuar më 21-04-2014, 20:36

Tiranë, 21 prill 2014, NOA.al- Partia Demokratike akuzoi sërish mazhorancën se po përdor justifikime për të mos dhënë llogari lidhur me mundësinë e përfshirjes së infrastrukturës së ushtrisë në trafikun e drogës.

Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi deklaroi se mazhoranca Rama-Meta u investua në një tjetër përpjekje për të çorientuar opinionin publik, dhe për të mbyllur çdo mundësi hetimi dhe zbardhje të së vërtetës lidhur me dyshimet për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga trafiku i drogës.

“Vetëm 24 orë më parë, vetë dyshja Rama-Meta hodhi idenë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar. Ndërkohë sot duke zbatuar planin e tyre për të mos bërë transparencë, kryetari i Kuvendit citoi pretekste ligjore për të mos lejuar komisionin që vetë e propozuan. Të gjendur nën akuzën e rëndë se kanë qenë të mirëinformuar mbi përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga trafikantët e drogës, por e kanë mbajtur të fshehtë, tashmë Rama dhe Meta janë gati të bëjnë gjithçka për t’i ikur çdo lloj llogaridhënie, çdo lloj transparence”, deklaroi Vorpsi.

Në këtë linjë ajo tha se Partia Demokratike e dënon qëndrimin e përsëritur të papërgjegjshëm të dyshes Rama-Meta, dhe lojën e tyre tinzare për të shmangur llogaridhënien para opozitës dhe opinionit publik.

Po ashtu ajo garantoi se opozita nuk do të ndalë përpjekjet deri sa e vërteta të zardhet./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit