Transmetuar më 21-04-2014, 17:19

Tiranë, 21 prill 2014, NOA.al- Ministri i Drejtësisë Nasip Naço i ka dërguar një letër zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Çefa, lidhur me atë që e ka quajtur promovimin e disa gjyqtarëve në mënyrë të kundraligjshme.

Në letër thuhet se Ministri i Drejtësisë ka kërkuar procedim disiplinor për gjyqtarët Valbona Duraj, Lindita Hoxha dhe Granit Qypi për shkak të shkeljeve në detyrë, duke shtuar se në vend të marrjes së masave nga ana e KLD, ata janë promovuar dhe janë ngritur në detyrë.

Duke i përmnedur rast pas rasti Naço kërkon nga Çefa përfshirjen në rend dite në mbledhjen e radhës të propozimeve të Minsitrit të Drejtësisë.

Letra e plotë e ministrit Naço:

I nderuar z. Çefa,

nga Ministri i Drejtësisë ju është kërkuar me shkresat nr.prot.239111 date 30.10.2012, nr. prot. 42 dhe nr. 43 date 08.01.2013 procedimi disiplinor për gjyqtarët Valbona Duraj dhe Lindita Hoxha. Gjithashtu, për gjyqtarin Granit Qypi me shkresen nr. prot. 647/1 date 27.3.2012 është kërkuar ndryshimi i vendimit nr. 260/3/a date 01.04.2010 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të konsumimit të afatit të delegimit dhe shkeljeve të konstatuara nga raporti i inspektimit tematik në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Kukës.

Nga ana juaj jo vetëm që nuk janë marrë masat për tu shqyrtuar kërkesat në fjalë, por është lejuar si në rastin e gjyqtarit Granit Qypi, vazhdimi në kundërshtim me ligjin në funksionin e tij si drejtues i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pavarësisht kërkesës së Ministrit të Drejtësisë. Po kështu, në rastin e gjyqtares Valbona Duraj në kundërshtim me ligjin është lejuar promovimi i saj pavarësisht kërkesës së sipërpërmendur të Ministrit të Drejtësisë. Me dekretin nr. 8268, date 16.7.2013, znj.Duraj është emëruar gjyqtare e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër dhe më pas me vendimin nr.368 date 28.10.2013 është deleguar si kryetare e kësaj gjykate.

Ndonëse ka kaluar mbi 1 vit nga depozitimi i këtyre kërkesave, Keshilli i Lartë i Drejtësisë në mungesë të plote të efiçencës jo vetëm që nuk i ka shqyrtuar propozimet në fjalë por në të kundërt ka lejuar promovimin e këtyre gjyqtarëve.

Në zbatim të nenit 22 te Ligjit nr. 8811 datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Keshillit të Lartë të Drejtësisë”, kerkoj nga ana juaj që propozimet e sipërcituara të përfshihen në rendin e ditës së mbledhjes më të afërt./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit