

Tiranë, 21 prill 2014, NOA.al- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti në takim Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Slobodan Petroviç dhe një delegacion deputetësh të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të minoriteteve.
Gjatë takimit Peleshi u shpreh se në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë është hapur një kapitull i ri bashkëpunimi strategjik dhe bashkërendimi forcash në të mirën e të dy vendeve.
Ai përshëndeti progresin që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve dhe në promovimin e bashkëjetesës mes komuniteteve, veçanërisht atij serb dhe shqiptar, dhe theksoi mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit si një moment tejet i rëndësishëm jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për stabilizimin e mbarë rajonit.
Më tej vlerësoi rolin që ka luajtur homologu Petroviç dhe partia e tij në gjetjen e gjuhës së përbashkët mes komuniteteve shqiptare dhe serbe dhe në promovimin e kulturës së bashkëjetesës në Kosovë.
“Shqipëria, është e angazhuar për një respektim dhe përfaqësim sa më të mirë të pakicave jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo tjetër në rajon, në përputhje me vlerat dhe standardet europiane. Ne besojmë, se dhurata e madhe e një rajoni pa konflikte që solli viti 2014 duhet ruajtur me seriozitetin më të madh pasi vendet tona mund të zhvillohen e të përparojnë vetëm përmes bashkëpunimit dhe krijimit të sinergjisë. Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit, është veç fillimi dhe jo fundi i punës, prandaj ne jemi të vendosur t’ju mbështesim e të bëjmë gjithë çfarë kemi në dorë që kjo marrëveshje të ketë sukses dhe të shënojë një moment kthese për stabilitetin dhe progresin e rajonit”, u shpreh Peleshi.
Nga ana e tij zëvendëskryeministri Petroviç shprehu mirënjohje për rolin e Shqipërisë dhe për mbështetjen që ajo u ka dhënë minoriteteve në Kosovë.
Ai u shpreh se vendet e rajonit mund të mësojnë shumë nga mënyra sesi Shqipëria i trajton minoritetet dhe theksoi meritën e Shqipëria në arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit të cilën e quajti “Një mundësi që nuk duhet humbur.”
“Kjo marrëveshje ka filluar t’i japë frytet e saj, dhe thellimi i bashkëpunimit mes vendeve tona është një garanci e mëtejshme për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit”, u shpreh Petroviç. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





