Transmetuar më 21-04-2014, 13:55

Tiranë, 21 prill 2014, NOA.al-   “Kryeministri Rama dhe ministria Kodheli treguan publikisht se janë në dijeni të përdorimit të Forcave të Armatosura për trafik droge”, kështu u shpreh kryetari i opozitës Lulzim Basha në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentarë të PD.

Basha u shpreh se me qëndrimin e saj në seancën e fundit parlamentare mazhoranca tregoi se ka informacion për këtë çështje ashtu si edhe opozita.

Kryetari i opozitës, akuzoi Kryeministrin Rama se qëndron prapa kësaj afere.

Basha kërkoi nga drejtësia të zbulojë këtë afere dhe përsëriti edhe njëherë qëndrimin se opozita nuk do të tërhiqet për asnjë momente nga transparenca e kësaj afere.

“Ne si opozitë e kemi të qartë se detyra jonë për të nxitur  transparencën e kësaj qeverie që kemi përballë kërkon shumëfishin  e energjive të zakonshme, por ne jemi përgatitur për këtë dhe nuk bëjmë asnjë hap prapa. Sepse transparenca është  jo vetëm një vlerë, jo vetëm një detyrim, por edhe  një e drejtë themelore e qytetarëve në demokraci. Tani beteja jonë jetike për transparencën e trafikut të lëndëve narkotike do të vazhdojë nga një stad i ri, ai i njohjes së fenomenit edhe nga qeveria, dhe do të hedhë hapin tjetër, atë të njohjes me qëndrimin e mbajtur nga kjo qeveri për verifikimin e informacioneve dhe për masat e marra”, u shpreh Basha, duke shtuar se për këtë arsye deputetët opozitarë e kanë thirrur prapë në Komisionin  e Sigurisë ministren Kodheli, për ta pyetur e për të diskutuar, për qëndrimin e mbajtur ndaj informacioneve për trafikim  të lëndëve narkotike  duke shfrytëzuar  asete  logjistike  të Forcave të Armatosura.

Në vijim ai shtoi se Kryeministri qëndron prapa kësaj afere, herë si regjisori i  heshtjes, herë si regjisori i dëshirës për ta shndërruar atë  në komedi, herë si regjisori i zhurmimit të saj, një metodë e njohur për të shmangur vëmendjen nga skandali, duke e trajtuar opinionin publik gjindje të pashkollë.

Sipas tij, Kryeministri Rama, ngado që të sillet e sido që të përdridhet, nuk i ikën dot detyrimit para ligjit të Kuvendit dhe para publikut për të shpjeguar se çfarë ka bërë me informacionin që normalisht duhet t’i ngrinte mornica, çfarë ka bërë me informacionet  e tjera nga policia për të njëjtën çështje, çfarë ka bërë me informacionet dhe shqetësimet e ngritura edhe nga partnerët ndërkombëtare në lidhje me intensifikimin e trafikut të drogës dhe lëndëve narkotike nga territori shqiptar.

Kreu i opozitës deklaroi se qëndrimi i kreut të mazhorancës, është qëndrimi i atij që ka mizën nën kësule, dikush që është pjesë e kësaj afere.

“Le të tentojnë të hetojnë, gjoja  në emër të motiveve, pse janë shkruar e pse janë dërguar këto informacione. Kështu po duan të marrin rolin e prokurorëve politikë të kohës së komunizmit për të hetuar fjalën dhe parlamentarizmin, nuk u mbetet tjetër veçse të propozojnë edhe rikthimin e nenit famëkeq 55 të agjitacionit dhe propagandës! Këta mjeranë duhet ta dinë se Shqipëria është demokraci. Nuk trembin njeri  me kërcënimet e tyre. Opozitën jo se jo. Oficerët e ndërgjegjshëm e patriotë do të vazhdojnë punën e tyre. Drejtësia do ta thotë fjalën e saj përfundimtare dhe ne e inkurajojmë në ketë mision. Opozita do të qëndrojë fort”, tha ndër të tjera Basha.

Po ashtu ai theksoi se ky problem ka lindur nga informacionet zyrtare që posedohen si nga opozita dhe nga qeveria.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit