Transmetuar më 21-04-2014, 13:29

Tiranë, 21 prill 2014, NOA.al- Pas publikimit nga mediat të 5 rasteve me Antraks në Tepelenë, ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Bujqësisë.

Drejtoresha e shërbimit Veterinar  Shpresa Arbi, gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se, rastet e evidentuara në Tepelenë me plasje në 5 persona, janë të izoluara, dhe janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria individuale dhe mosndërgjegjësimi i fermerëve në zona të ndryshme të vendit.

Sipas drejtoreshës, Ministria e Bujqësisë pas njoftimeve që mori nga Instituti i Shëndetit Publik në rrethin e Tepelenës në fshatin Arzë e Madhe, mori të gjitha masat, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së plasjes.

“E gjithë zona u vu nën kontrollin veterinar dhe u vaksinuan 4000 krerë që mbarështoheshin në këtë zonë. Ministria e Bujqësisë, në planin kombëtar të parandalimit të sëmundjes së plasjes ka vaksinuar 165 mijë krerë në qarkun e Gjirokastrës dhe vazhdon monitorimi”, u shpreh zonja Arbi.

Ai theksoi faktin se, në rang Republike në kuadër të programit kombëtar, janë vaksinuar 410 mijë krerë të imëta, gjedhë, kuaj, derra me vlerë prej 18 milionë lekësh të reja.  “Si rezultat i planit kombëtar të vaksinimit, pas vitit 2009 deri ne vitin 2013, prirja e sëmundjes paraqet një ulje  të theksuar. Ministria e Bujqësisë ka një fushate ndërgjegjësimi për masat që duhen marrë në rastet kur shfaqen sëmundje të tilla”, tha ajo.

Ministria e Bujqësisë, i bën apel fermerëve që në rastet e shfaqjes së shenjave të sëmundjeve të tilla te kafshët, të lajmërojnë menjëherë shërbimin veterinar zyrtar, shërbimin veterinar të komunave e bashkive dhe gjithë veterinerët private që operojnë në zonat e tyre.

Ministria e Bujqësisë siguron se situata është nën kontroll të plotë, për të garantuar shëndetin e konsumatorit.   /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit