Transmetuar më 21-04-2014, 09:23

Gjirokastër, 21 prill 2014, NOA.al- Pas vjedhjes së  muzeut të armëve në Kalanë e qytetit Gjirokastër, policia e këtij qyteti ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj vjedhje dhe kapjen e autorëve. Policia informon se nga ky muze u vodhën 11 armë të periudhës së mesjetës.

Pas hetimeve të para, Specialistët e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë bërë ndalimin e shtetasit N.Zhuli , i datëlindjes 1954, banues në Gjirokastër, me profesion roje pranë shoqërisë private Taulani, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Policia informon se ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga verifikimi i librit të shërbimit të firmës , rezultoi se gjatë kohës që është kryer vjedhja e muzeut , ka qenë në shërbim për ruajtjen e objektit të kalasë.

Gjithashtu policia informon se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për përfaqësuesin e firmës Taulanti , S.K, i datëlindjes 1952 , banues në Gjirokastër, për veprën penale të ‘Kryerjes së funksionit pas dhënies fund të tij”.

Procedimi penal për përfaqësuesin e firmës filloi pasi nga verifikimi i dokumentacionit të firmës, rezultoi se afati i kontratës për ruajtjen e objektit të kalasë kishte përfunduar më datën 12.03.2014, por përsëri kjo shoqëri vazhdonte ruajtjen e këtij objekti.

Sipas policisë janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër edhe 5 shtetas të tjerë si të dyshuar dhe vijon marrja në pyetje e tyre. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit