
Sejfi Protopapa jepej me pasion mbresëlënës ndaj çdo kauze që përqafonte
Nga Ruben Avxhiu
Nuk besoj që ekziston dikush që ta ketë takuar Sejfi Protopapën dhe pastaj ta ketë harruar. Mund ta pëlqeje ose jo, të ishe ose jo dakord me të, ta doje apo ta urreje, po ishte e pamundur të mos të të bënte përshtypje e ta harroje si njeri. Nuk pretendoj të hyj ndopak ndër ata që e njihnin shumë mirë, po çdo bisedë, takim apo shkëmbim me të ka qenë një përvojë më vete. Sidomos dekadat e fundit, kur të habiste me rininë e gjallërinë e tij. Njeriu kishte ardhur në këtë botë gati gjysëmshekulli para meje po ishte më i hedhur e më dinamik se unë. Njëherë në mesin e dhjetëvjeçarit të kaluar më tregoi se kishte ruajtur çdo kopje të gazetës “Illyria” që nga numri i parë. Na pyeti nëse na nevojitej arkivi i plotë. Në fakt, një pjesë e arkivit ishte dëmtuar në selinë e mëparshme të gazetës dhe botuesi Vehbi Bajrami ofroi të paguante për transportin e arkivit që mbante Sejfi Protopapa deri në Manhattan. Tërësisht në natyrën e tij, Sejfiu jo vetëm kundërshtoi, po i dha vetë makinës deri në New York dhe mbajti vetë një pjesë të peshës për transportimin e stivave me numrat e gazetës në vitet e para të saj. Gati dy dekada histori të shtypit shqiptaro-amerikan, të ruajtura me kujdes e merak. Sejfiu ishte vetë autor i shumë shkrimeve të botuara të “Illyria”. Opinionist i flaktë e me pikëpamje të qarta e të prera, të cilat nuk druhej kurrë që t’i artikulonte, ai kishte fituar shpesh admirimin e disa dhe inatin e disa të tjerëve. Protopapa ishte një antikomunist i vendosur, që pasi kishte mbaruar me sukses studimet në Itali ishte kthyer në Shqipëri për të marrë pjesë në luftën nacional-çlirimtare. Aty u bashkua me Ballin Kombëtar dhe ruante vetëm zhgënjimet dhe pakënaqësi për atë që e shihte si tradhëti të partizanëve komunistë ndaj atdheut. Një personazh i Dritëro Agollit me emrin Sali Protopapa i bërë famëkeq më shumë nga interpretimi pasionant në filmin e realizuar sesa nga pena e shkrimtarit, i parapriu si hije figurës së Sejfi Protopapës në Shqipërinë e paskomunizmit. Rrallë gjen ndonjë shqiptaro-amerikan që është paragjykuar aq shumë sa ai në vendin që e donte as shumë. Por, Sejfi Protopapa dhe Sali Protopapa nuk janë i njëjti person as nuk ngjajnë, për këdo që e ka njohur Sejfiun dhe ka parë filmin. Sejfiu nuk ia fali asnjëherë Dritëroit personazhin që krijoi jo sepse njerëzit e lidhnin me të, po sipas tij për mungesën e ndjeshmërisë për fëmijët e fisit Protopapa që për shkak të mbiemrit të personazhit në Shqipëri kishin kaluar një fëmijëri të mbushur me tallje e fyerje ndërsa familjet e tyre ishin shenjuar më shumë se shumë të tjera si figura përfaqësuese të kundërshtarëve të regjimit. Në fakt, roli i Sejfi Protopapës në luftë nuk ka qenë kyç, mirëpo pavarësisht nga kjo ai kishte qenë mjaft aktiv e vokal sa nuk është vështirë të merret me mend se çfarë do të kishte ngjarë nëse nuk do të ishte larguar nga Shqipëria në 1944. Protopapa tregonte se ishte i pari ballist që i kishte rënë në dorë një kopje e urdhërit të Enver Hoxhës për të luftuar me armë Ballin Kombëtar. Me nënshkrimin Shpati, diktatori i ardhshëm kishte sanksionuar fillimin praktikisht të luftës civile në Shqipëri. Sejfiu u vendos në SHBA dhe ishte deri në fund shumë pasionant kundër komunizmit si pak kush edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan. Në vitin 1991, mes një grupi të angazhuar shumë në politikën e opozitës së parë shqiptare, vizitën e parë kur mbërritëm në Washington e patëm pikërisht nga Sejfi Protopapa, në hotelin ku ishim vendosur. Megjithë pasionin e tij kundër diktaturës prej të cilës ishte detyruar të linte Shqipërinë, Protopapa kishte një version mjaft esëll të ngjarjeve në Shqipëri në kohën e luftës. Pikëpamjet e tij në këtë drejtim ishin ndikuar edhe nga bashkëjetesa paqësore e komunistëve, nazistëve dhe ballistëve në Berat, qytetin e tij të lindjes, ku ngurrimi i të gjitha palëve për të sulmuar tjetrën dëshmuan periudhën e përkohshme dhe kalimtare që po jetonte Shqipëria në pritje për të filluar kapitullin e ri të historisë së saj. Pas rënies së komunizmit, ai u dashurua pas një tjetër kauze kombëtare, atë të pavarësisë së Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Protopapa kishte jetuar në Massachusetts dhe ruante mbresa të jashtëzakonshme nga Fan Noli. Ai e shihte si detyrim ndaj shqiptaro-amerikanit të madh që të siguronte që në krye të Kishës shqiptare të ishte një shqiptar. I angazhuar në ripërtëritjen e Kishës së Shën Gjergjit në Boston, Protopapa iu bashkua një grupi shqiptaro-amerikanësh që në vitin 1992 udhëtuan për në Shqipëri që të kundërshtonin vendosjen e Kryepeshkopit Anastasios në krye të kishës së rihapur ortodokse të Shqipërisë. Përpjekja e tyre nuk pati sukses por askush prej tyre nuk e mori aq personalisht këtë kauzë sa Sejfi Protopapa. Për gati dhjetë vjet me radhë ai shpenzoi pasurinë personale për të financuar Kishën Shqiptare në Elbasan të Atë Nikolla Markut edhe kur u pa qartë se nisma nuk do të mbështetej as nga Patrikana e as nga shteti shqiptar. Kauza e tretë që iu përkushtua pa lodhje e pa kursyer ishte ajo e pavarësisë së Kosovës. Në një rast pagoi 1,500 dollarë për të marrë me qira autobuzë që shqiptarët nga Massachusetts të protestonin mne bashkatdhetarët e tjerë përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në New York. Sejfi Protopapa e kishte vizituar Kosovën në vitin 1972 dhe më pas, ndonëse mbi 80 vjeç, nuk i rezistoi dot tundimit të udhëtimit për ta vizituar të lirë. Fotografia shoqëruese këtu është duke ngritur flamurin në një nga veprimtaritë shqiptare në Boston, ku ishte pothuajse gjithmonë i pranishëm, e ku e kanë njohur më mirë e nga afër. Sejfi Protopapa ishte punoi si inxhinier në SHBA në kompani shumë të njohura përfshi edhe NASA-n. Artikujt e tij shkencorë në fushën e aero-hapësirës, të teknologjisë së transportit etj gjenden në shumë katalogë dhe botime serioze amerikane. Më poshtë vijojnë: një reportazh nga pyetje-përgjigje të tij me student shqiptarë dhe të amerikanë në Boston University, në 2007, botuar në gazetën “Illyria”, si dhe dy shkrime në shqip e në anglisht për gazetën “Illyria”, vetëm një pjesë e kontributit të tij pasionant e opinionist në vite.
Një kronikë nga Universiteti i Bostonit – pranverë 2007 Bisedë e z. Sejfi Protopapa me studentë shqiptarëtë Boston University Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Boston University me kryetar Nic Nikic ka kryer disa aktivitete për formimin e mëtejshëm kulturor të anëtarëve dhe dashamirëve të saj. Të premten e parë të prillit ora 6:30 PM, në sallën e konferencave GSU, ajo ftoi për bisedë patriotin Sejfi Protopapa. Z. Protopapa, është një shqiptaro-amerikan 82 vjeçar, fizikant në pension. Ai ka lindur në qytetin e bukur të Beratit dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) ka qenë një veprimtar aktiv i rinisë balliste. Në fund të vitit 44 ai u detyrua të braktiste Shqipërinë dhe më 1947 u vendos në SHBA ku kreu studimet e larta në fushën e Fizikës dhe më vonë punoi në studime dhe aplikime të rezeve lazer në zona ujore, rezultatet e të cilave ai i ka botuar në bashkautorësi me studiues amerikanë.
Përveç pesëmbëdhjetë studentëve anëtarë të shoqatës morën pjesë dhe disa miq e të njohur të z. Protopapa, si z. Van Kristo me zonjën e tij, z. Mark Kozmo, zonjusha Albana Orgocka, z. Eqerm Mete me familjen e tij, z. Cheche me familjen, etj, etj.
Nënkryetarja e Shoqatës, zonjusha Linda Adam, hapi takimin duke prezantuar mikun e ftuar dhe temën e bisedës. Më tej z. Sejfi Protopapa mbajti një ligjëratë të shkurtër me të cilën dha një panoramë të disa ngjarjeve historike të L2B. (Fjala e plotë e z. Sejfi Protopapa u botua në numrin e kaluar)
Më tej të pranishmit bënë një varg pyetjesh të cilat z. Protopapa i priti me shumë përzemërsi dhe u përgjigj me korrektësi:
Një student: Një nga pikat e marrveshjes se Mukjes ishte Shqipëria etnike ose bashkimi i trojeve shqiptare në Ballkan. A ishte kjo e pamatur po të kujtosh se të gjithë përpjekjet duheshin përqëndruar në çlirimin e vendit?
S. P.: Komunistët nuk folën kurrë për Shqipërinë Etnike.
z. E. Mete: Aktiviteti juaj gjatë luftës përbën bazën e filmit “I teti në bronz”?
S. P.: Kjo është komike, qesharake. Gjëra artificiale letrareske. Fakti që u zgjodh mbiemri Protopapa është një krim i kryer nga Dritëro Agolli. Shumë njerëz të fisit tim ndrruan mbiemrin si pasoje e këtij nonsensi të këtij shkrimtari.
Një studente: A ishte Balli Kombëtar një parti politike dhe a kishte një program të kristalizuar? Kur u formua BK, para apo prapa PK?
S.P.: Balli Kombëtar u krijua para P. K., që më 8 prill 1939 prej Mit’hat Frashërit. Balli nuk që kurrë një parti poltike, por organizatë patriotike e demokratike. Kishte dy rryma brenda Ballit; ajo e të vjetërve ku hynin Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Vasil Andoni e të tjerë. Dhe ajo e të rinjve me Safet Butka, Abas Armenji të cilët u internuan nga italianët, këta ishin më progresivë, më liberalë e të tjera. Kishte gjithashtu mbështetës të regjimit të Zogut, individualisht, jo si grup politik. Programi i Ballit Kombëtar ishte “Dekallogu”.
Një student: A u mundua Balli Kombëtar që të merte pushtetin në Shqipëri?
Balli Kombëtar ishte i përkushtuar ndaj proceseve demokratike, kështu që kjo organizatë ishte i kënaqur me favorizimin e këtyre proceseve dhe format e qeverisjes që dalin prej këtej. Lufta civile nuk e lejoi ketë të ndodhte. Prania e anglezëve në Greqi nuk u përsërit edhe në Shqipëri, kështuqë komunistët qenë të lirë të bënin çfarë dreqin të donin, dhe ata kështu bënë.
Pyetje: Çfarë do të kishte bërë ndryshe në Shqipëri BK, nëse do ta kishte marrë pushtetin?
S. P.: Përpiqu ta çmosh nocionin e proceseve demokratike. Nëse do kishte patur procese të tilla ngjarjet do merrnin rrugë tjetër. Asgjë e tillë nuk ndodhi pasi Balli nuk i kishte forcat dhe mjetet. Ata dështuan ushtarakisht, por kurrë shpirtërisht.
Pyetje: Kur është çliruar Shqipëria?
S. P.: Loja me 28 dhe 29 nëntorin është asgjë veç tullumbace. Unë për vete preferoj 28 nëntorin.
Pyetje nga z. Alimemeti: Ju z. Protopapa thoni shpesh se jeni ateist dhe komunistët ishin ateistë, a i vlerësioni ata për ateizmin e tyre?
S. P.: Ateizmi në Shqipërinë komuniste ka qenë një ateizëm i dhunshëm, ai nuk u zhvillua tek anëtarët e P.K. dhe në popull si proces i lirë i ndërgjegjes së tyre, por si një urdhër, se ashtu donte partia, etj. Dhuna komuniste ka sjellë ndryshime të shumta në ndërgjegjen dhe jetën e popullit shqiptar brenda kufijve të shtetit komunist. Pasoja të këtyre ndryshimeve të dhunshme në ndërgjegjen e shqiptarëve kanë sjellë si pasojë deformimin e shumë parimeve demokratike në jetën shqiptare të kohës së tranzicionit dhe për ngjarjet e 97-tës.
Në fund të bisedës studentët e BU dhe disa miq të z. Protopapa bënë një foto në kujtim të kësaj dite. Mbasi e falenderuan folësin pjesëmarësit u larguan plot mbresa dhe me dëshirën që z. Protopapa dhe shqiptaro-amerikanë të tjerë të flasin në takime të tilla…
Radhën e ardhshme Shoqata e Studentëve Shqiptarë të B. U. ka në program të sjellë një deputet shqiptar nga Mali i Zi për të folur për gjendjen e minoriteteve në atë shtet të ri, dhe sidomos për gjendjen dhe synimet e shqiptarëve të atjeshëm. MIRË SE VINI NË SHQIPËRI Sejfi Protopapa
Çdo vend në botë kënaqet që të bëjë një mikpritje të këndshme për të huajt që dëshirojnë të vizitojnë vendin e tyre, sidomos për ata të huaj që e vlerësojnë vizitën e tyre me mirësjellje. Turistët janë një shprehje miqësore, dhe njëkohësisht ata janë një leverdi tregtare për vendin. Ndërsa lëvizin lart e poshtë vendit, turistët harxhojnë Euro ose $, duke blerë nëpër dyqane, duke ngrënë dhe duke pirë në lokalet e vendit dhe duke fjetur në hotele. Pra, është e qartë që, me vështirësitë financiare që ka Shqipëria, shqiptarët do të bënin ç`është e mundur, që të ndikonin për ardhjen dhe mirëpritjen e turistëve në Shqipëri. Si duket, Shqipëria ka edhe një ministër që është përgjegjës për turizmin. Ata kuptojnë mirë se e gjithë struktura e shtetit Shqiptar, duke filluar me Presidentin dhe Kryeministrin, civilët si edhe oficerët e shërbimit publik, dhe veçanërisht policia e kufirit në aeroportin e Tiranës, do të silleshin të ndërgjegjshëm me turistët, të paktën, si një faktor ekonomik i vendit. Ata do të tregonin një mikpritje të veçantë për të gjithë ata që paraqitnin një pashaportë të huaj, sepse këta të huaj do të shikonin fytyrën e parë të Shqipërisë së sotme në aeroportin e Tiranës. Në rastin tonë, mbas fluturimit me Al-Italia nga Milanua, ne hymë në godinën e aeroportit Nën Tereza ne Tiranë, në orën e parë të 28 Qershorit 2006. Ne ishim pajisur me pashaporta amerikane. Kështu, si të huaj, na drejtuan në sportelet përkatëse, ku një oficer i kufirit me uniform, do të na shqyrtonte dokumentet për të hyrë në Shqipëri. Unë dhe gruaja ishim të parët. Oficeri na kërkoi 10 euro për secilin, 20 euro për të dy. Ne nuk kishim euro, por ne i paguam atij $20. Oficeri na dha një faturë me numër 099887, ku ai vuri me dorë germën A, si për vendin ku ishte fjala financieri, ashtu edhe ku ishte fjala arkëtari. Kur i erdhi radha katër vetave të familjes së djalit tim ,Bekimit, ai i dorëzoi oficerit $40. Mirëpo, oficeri kërkoj edhe $20 të tjera dhe, simbas vështrimit te zonjës Joan, gruaja e Bekimit, oficeri i mori ato $20 dhe i vuri ne xhepin e tij. Duke mënjanuar përkohesisht marifetin e oficerit, ndofta vlen të bëhet nje llogari e vogël. Ndodhi që ne paguam $80 gjithsej për 6 persona. Ne duhej të paguanim 60 euro. Shkëmbimi i monedhave ishte 1 euro=$1,283. Keshtu rezulton qe shteti Shqiptar na vodhi neve $3,02 ! Është e qartë se llogaria e sipërme për të treguar pagesat e hyrjes në Shqipëri, nuk ka rëndësi në vetvete. Por ajo llogari tregon se sistemi i pagesës për hyrjen në Shqipëri është i mangët, sepse midis të tjerave, ai sistem bën të mundur abuzimin nga oficeri shqiptar. Eksperienca jone me autoritetet shqiptare në aeroportin e Tiranës na bëri përshtypjen e hidhur se abuzime të tjera nga autoritete të ndryshme shqiptare me uniformë, lart e poshte vendit, do të na kërkonin pagesë në emër të qeverisë shqiptare në Tiranë. Shpejtoj të shënoj se në të njejtin udhëtim, autoritetet italiane si në aeroportin e Romës, ashtu edhe në atë të Milanos nuk na kërkuan ndonjë pare, kur ata shtypën pashaportat tona, ndërsa kalonim kufirin e aeroportit. Unë kam kujtesë të qartë, se në udhëtimet e mija të mëparshme, Svicerianët nuk kërkuan ndonjë pagesë, kur kaloja aeroportin e Zyrih-ut. Po ashtu, në 2002-shin, kur gruaja ime dhe unë vajtëm në Estoni, që është vendlindja e saj, ne nuk paguam asgjë gjatë rrugës nëpër aeroportet e Parisit, Londrës, Helsink-ut ose Tallinn-it, kryeqyteti i Estonisë. Kallezimi i mësipërm fton disa pyetje: Kush ishte “xheniu” qe krijoi këtë marifet kundërproduktive, kur kërkohet që turisti i huaj të denohet me pagesën e gjobës vetëm e vetëm, sepse ai deshiron të vizitoje Shqipërinë? Është shumë e lehtë për mua të kuptoj se gjate regjimit Komunist, kelyshet e Enver Hoxhës, mundoheshin të grumbullonin para të huaja per ustane e tyre dhe për këtë qëllim arbitrarisht u ra ndërmend ideja e gjobës për të huajt, që dëshirojnë hyrjen ne Shqiperi. Doni te mesoni mrekullinë tonë ushtarake, duke veshtruar bunkerët tanë ane e mban Shqipërisë? Doni te shikoni vilat luksoze të ustait tonë të dashur Enver, ne Tiranë, në Pogradec dhe në Vlorë, atëhere mos përtoni dhe paguani ketu tani”. “Neve nuk na intereson ideja borgjeze e drejtësisë dhe e miqësisë për vizitorin e huaj që dëshiron të hyjë në paradisin tonë proletar!” Në Shqipëri diktatura Komuniste vdiq nga hemorogjija e brendëshme afer 16 vjet më parë. Prej asaj kohe, ka pasur qeveri neosocialiste apo socialiste, ka pasur qeveri neo- demokratike ose demokratike. A ka ndodhur që dikush të mundohej të shqyrtonte vlerën për Shqipërine, ndërsa kjo pagesë behej në aeroportin e Tiranes, në kurriz të miqve tanë të huaj? Më kujtohet se në avionin që shkonte drejt Tiranës, një zonjë britanike po më ankohej për këtë pagesë të pa pritur në aeroportin e Tiranës. Po ashtu, shënoj se në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” autori i artikullit ankohej për këtë pagesë pa kuptim në aeroportin e Tiranës. Në qoftë se policia e kufirit në aeroport i mbledh këto para për personelin e vet, atëhere ai që është prijësi i tyre në nivelin e ministrit, duhet të jete i pa aftë, i mangët, ose përndryshe edhe ai merr pjesë në parate e grumbulluara në aeroport. Po Kryeministrat e të kaluarës ose kryeministri i sotëm, a kane marrë pjesë në këto para? Këto janë pyetje të mundshme që një turist i habitur bisedon me miqte e tij, si një nga eksperiencat e tij në Shqipëri. Po të supozohet se 200 të huaj paguajnë këtë gjobë çdo ditë, kur futen në Shqipëri, të ardhurat vjetore për shtetin Shqiptar mberrijnë shumën 730.000 euro. Ata individe qe marrin pjesë në këtë grabitje, natyrisht e suportojnë kete veprim. Mirëpo, Shqiperija dëshiron të antaresohet në Bashkimin Europian, si edhe në NATO. A e kuptojnë udheheqësit Shqiptarë se kjo hile e dobët (meskine) nuk përdoret prej tyre ? A vlen për Shqipërinë të marre këtë shumë të vogël nga turistet e huaj dhe kështu të njollosi famën e Shqiptareve si mik pritës së shkëlqyer? Une shpresoj që sa me shpejt që është e mundur, udhëheqësit Shqiptarë, pa dallime politike,te vendosin t`i japin fund kësaj forme bizantine për të mbledhur taksa nga dashamirësit e huaj, që hyjnë në Shqipëri ligjërisht. Ata i kanë mbledhur ato para me djersën e ballit dhe dëshirojnë të shikojnë bukurite mahnitëse të vendit tonë dhe të zbulojnë miqësine e popullit Shqiptar, që vazhdon të rimëkëmbet mbas dhjetëra vjetësh nën brutalizmin e diktaturës Komuniste.
Sejfi Protopapa Wayland, MA USA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





