
Kosovë, 20 prill 2014, NOA.al- Kryetari i grupit parlamentar nga radhët e Vetëvendosje!-s (VV),Visar Ymeri, ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së.
“Neve nuk na është lejuar sistemi i pavarur gjyqësor në vend, por na janë imponuar misionet, e tash po na thuhet juve ju duhet misioni ndërkombëtar dhe gjykata ndërkombëtare, sepse nuk keni sistem të pavarur gjyqësor. Përveç që na barazuan në Gjykatën e Hagës, duke na akuzuar të gjithëve nga pak, tani po na thonë se juve ju duhet një gjykatë të veçantë, për të cilën as nuk e dimë kush do ta formojë, as kush do t’i emërojë gjyqtarët, kush do ta financojë dhe kujt do t’i japë llogari”, ka thënë Ymeri, gjatë prezantimit të alternativës qeverisës të Vetëvendosje!-s në një takim në komunën e Deçanit.
Ymeri ka folur edhe për qeverisjen në vend dhe për zgjedhjet parlamentare. Ai ka thënë se Vetëvendosje! nga viti 2011 ka kërkuar rrëzimin e qeverisë Thaçi.
“Lëvizja Vetëvendosje! Qysh nga viti 2011 ka kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sikur të përfillej kërkesa jonë, shumë të këqija që i kanë ardhur vendit nga kjo Qeveri, siç është marrëveshja e 19 prillit dhe pasojat e saj, Ligji për Amnisti dhe asociacioni i komunave serbe, nuk do të bëheshin. Kësisoj ka degraduar, sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi kushtetues i vendit”, ka deklaruar Ymeri.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





