Transmetuar më 20-04-2014, 15:49

Kosovë, 20 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se ende s’ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare për shpërbërjen e Parlamentit.

Ai i ka quajtur joserioze deklarimet se Parlamenti do të shpërbëhet brenda javës së ardhshme.

"Me të thënë të drejtën nuk e kam shikuar shpërbërjen e Kuvendit dhe nuk e kam marrë shumë serioze", ka thënë Krasniqi, për Express, të dielën.

"Këto deklarimet s’besoj se kanë ndonjë bazë reale sa i përket shpërbërjes se Kuvendit", ka shtuar ai.

Një ditë më parë, Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa tha se Kuvendi do të shpërbëhet javën e ardhshme pasi të vendos për Gjykatën Speciale dhe për vazhdimin e mandatit të EULEX’it.

Por, Shefi i Parlamentit, Jakup Krasniqi këto deklarata nuk i merr seriozisht duke thënë se më shumë po bëhen për efekt medial.

"Për javën e ardhshme s’ka asnjë kërkesë zyrtare. Do të thotë vetëm është mediatizuar se sa diçka që zyrtarisht është e iniciuar", ka thënë Krasniqi.

Sa i përket votimit të Gjykatës Speciale, Krasniqi ka thënë se ende s’ka vendosur nese  do ta jape apo jo vetëm pro saj.

Sipas tij, do të jetë në dorën e shumicës nëse do të votojnë pro themelimit të Gjykatës e cila do të merret me krimet e luftës.

"Nuk jemi përcaktuar ende. Unë vërejtjet e mia i kam dhënë publikisht dhe në takimet e pakta që kam pasur kohëve të fundit. Megjithatë, është shumica ajo që merr vendime", ka thënë ai. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit