Transmetuar më 20-04-2014, 13:05

Pep Guardiola rikthehet në Bernabeu. Janë të shumta duelet që ka zhvilluar në tempullin Blanco, fillimisht si lojtar i Barcelonës dhe më pas në stolin e blaugranave.

Tani si trajner i Bayern-it, tekniku është para një tjetër klasikeje, përballë dy rivalët e mëdhenj në Europë.

Bayerni i Mynihut u imponua të shtunën ndaj modestëve të Eintracht Braunschweig. Një triumf pa shkëlqim, por që gjithsesi shërben për një ekip që falë dhe faktit që nuk luante për asgjë pasi e kishte fituar kampionatin, vinte në atë sfidë pas një barazimi dhe dy disfatave.

Kritikat nuk munguan, madje nga vetë Drejtori sportiv, Matthias Sammer dhe Guardiola nuk e eviton diskutimin edhe pse pas pak ditësh i duhet të vizitojë Bernabeun.

“Të gjithë e dinë që skuadrave të mëdha nuk iu mjafton vetëm të fitojnë.

Duhet të fitojnë gjithmonë dhe kjo është normale. U kthyem me dëshirë për të konkurruar, ishte kjo ajo që kishim humbur por në një farë mënyrë ishte normale pasi luajtëm ndeshje të kampionatit pa asnjë objektiv”.

Gjithsesi Guardiola është i pari që pret një tjetër Bayern në Madrid. Edhe pse nuk dihet nëse fjalët e tij janë pjesë e një strategjie apo me të vërtet ka dyshime nëse ekipi i tij nuk do të reagojë në kohë.

“Është evidente që duhet të rrisim nivelin tonë. Entuziazmi i Realit në këtë moment është më i lartë se i yni pasi fitoi finalen e Kupës, por ne kemi si synim të jemi kompetitivë në Bernabeu.

Reali ka një farë avantazhi në këtë aspekt. Ne e fituam kampionatin shumë kohë më para dhe kjo na bëri ta ulim paksa ritmin, por synojmë ta rikuperojmë ritmin tonë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Në kampin e kundërshtarëve vijon të jetë në dyshim prezenca e yllit të skuadrës, Cristiano Ronaldo, megjithëse Guardiola është gati të vërë bast se portugezi do të luajë.

“Gjithmonë kam menduar se lojtarët e mëdhenj në evente të tilla janë gati të luajnë edhe nëse kanë shansin minimal për ta bërë këtë gjë.

Cfarë mund të them për Cristianon, është prej shumë vitesh në këtë nivel, por jo vetëm ai është kaq i fortë, pasi Reali edhe pa të ka një skuadër të madhe”.

Trajneri i Bayernit, ashtu siç ka bërë gjithmonë para një sfide Real-Barcelona edhe këtë herë kërkon të evitojë statusin e favoritit.

“Cdo herë që kam shkuar në Bernabeu, si trajner dhe si lojtar, kurrë nuk e kam çuar nëpër mend se jam favorit. Kam shumë respekt për ta”.

Në fund Pep evidenton dhe armën më të fortë të kundërshtarit. “Shpejtësia e lojës ka qenë gjithmonë virtyti i madh i Realit të Madridit”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit