
Tiranë, 19 prill 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, i cilësoi të dhënat e Bankës së Shqipërisë si tejet inkurajuese.
Në një postim në profilin e tij në Facebook ai shkruan se, “Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tejet inkurajuese për rritjen e lartë të optimizmit në ekonomi, baza e ndryshimit real që presim më tej!”
Më herët deputetja socialiste Evis Kushi deklaroi se sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, në tre mujorin e parë të këtij viti, treguesi i ndjesisë ekonomike është përmirësuar ndjeshëm.
Në këtë linjë ajo theksoi se besimi i biznesit dhe konsumatorëve, sipas studimit të Bankës së Shqipërisë, ka nisur trendin pozitiv që tetorin e vitit 2013, duke u përmirësuar muaj pas muaji.
Sipas saj, rritja e besimit në ekonominë shqiptare përkon me fillimin e punës së qeverisë së re dhe masat e marra për të nxitur prodhimin vendas, shlyer borxhet dhe injektuar para në ekonomi, duke shtuar se rritja e besimit muaj pas muaji ka ndodhur në të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Në sektorin e industrisë u përmirësua me 4,2% këtë tremujor. Në sektorin e ndërtimit është përmirësuar me 13,9%, sektori i shërbimeve me 10%. Besimi në sektorin e tregtisë jo vetëm është rritur këtë tremujor, por qëndron 5,2% më lart se mesatarja afatgjatë. Të gjithë këto tregues provojnë qartë klimën e re optimiste që mbizotëron në ekonominë shqiptare. Një klimë e re që vjen si rezultat i marrëveshjes së qeverisë shqiptare me FMN, falë të cilës po shlyhen borxhet e akumuluara nga qeveria e mëparshme dhe po nxitet zhvillimi ekonomik”, deklaroi Kushi.
Ajo tha se një tjetër hap i rëndësishëm pritet të ndërmerret nga qeveria shqiptare ditën e hënë, kur do të prezantohet paketa e re për prodhuesit fasonë.
Në vijim deputetja theksoi se kjo paketë është e mirëpritur pasi do të japë më shumë siguri për prodhuesit fasonë, do të rrisë punësimin, do të shtojë eksportet dhe do të nxisë edhe më tej prodhimin./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





