Transmetuar më 19-04-2014, 14:54

Tiranë, 19 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë së Punës të Riorganizuar Marko Dajti ka reaguar lidhur me situatën e rendit dhe trafikun e drogës.

Në qëndrimin e tij Dajti shprehet se PPR është thellësisht e shqetësuar për mënyrën se si politika po përballet me problemet më të rëndësishme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Ai thekson se siguria e qytetarëve është shndërruar në argumentin me të cilin kusarët dhe barbarët në Kuvendin e Shqipërisë po përleshen me batuta palaçosh cirku, duke harruar se jeta e njerëzve është në rrezik.

“Nga njëra anë “i ndershmi” Doksboru vijon prej të paktën gjashtë muajsh të bëjë politike me kufomat, duke akuzuar së fundmi qeverinë edhe për trafik droge duke shfrytëzuar strukturat e ushtrisë. Nga ana tjetër, kryeministri Arturo Ui ka harruar se ka ardhur në pushtet jo për të dëgjuar pordhët e pleqve, por për të siguruar një të sotme dhe të ardhme të sigurt për qytetarët e këtij vendi. Ndërsa gangsteri Huk nuk duhet të qeshë nga kolltuku i drejtuesit të këtij cirku të madh kllounësh të papërgjegjshëm. Nuk mund të mohojmë se po jetojmë një situatë tejet kritike, kur armët e zjarrit dhe tritoli po mbjellin kufoma dhe pasiguri në të katër anët e vendit. Por për këtë jemi të gjithë përgjegjës. Është përgjegjëse opozita që fërkon duart sa herë krimi mbyt shtetin, është përgjegjëse edhe mazhoranca që ende nuk e kupton se rendi nuk është çështje imazhi që mund ta rregullojnë Zhivolat e pushtetit. Për këtë duhet punë dhe përkushtim”, deklaron Dajti.

Ai thekson se opozita duhet të kuptojë se policia dhe ushtria janë institucione të sigurisë kombëtare që janë dhe duhet të mbeten të paprekshme dhe se detyra e tyre është që të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe jo të sjellë apo të rrëzojë nga pushteti njërën palë apo tjetrën.

Po ashtu ai thotë se një ndër çështjet që politika shqiptare duhet të përballojë me përgjegjshmëri është ajo e trafikut të lëndëve narkotike.

Sipas tij nga njëra anë, opozita duhet të lërë mazhorancën të punojë dhe të mos njollosë vend e pa vend imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë dhe nga ana tjetër, qeveria duhet të marrë masa urgjente për të zgjidhur problemin e famshëm të Lazaratit, pasi me pasivitetin e vet po krijon dy republika dhe dy standarde sjelljeje ndaj qytetarëve të vet. Kryetari i PPR nënvizon se nga njëra anë po prodhohen tonelata të tëra që përfundojnë në duart e krimit të organizuar, nga ana tjetër arrestohen e dënohen njerëz që përdorin apo shesin ca gramë hashash. Për prodhuesit asnjë ndëshkim, pasi shteti bën “politikë sociale”, ndërsa të dytët vuajnë vite të tëra burgimi të rëndë.

Ai e mbyll qëndrimi ne tij duke thënë se, “Në kushtet kur qeveria është e paaftë të ndëshkojë “fshatin rebel”, e vetmja zgjidhje mbetet legalizimi i prodhimit të kanabisit, siç bëjnë shumë shtete të përparuara të Europës dhe SHBA. Kjo do të thotë punë për të gjithë, të ardhura për të gjithë, taksa më shumë për shtetin. Në fund të fundit, le të bëjë “politikë sociale” për gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ballistët e Lazaratit. Ta bëjë këtë hap të madh qeveria, përpara se ta bëjnë vetë shqiptarët, madje edhe me mbështetjen politike të partisë sonë”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit