Transmetuar më 19-04-2014, 14:39

Gjirokastër, 19 prill 2014, NOA.al- Gazetari i së përditshmes “RD” Telnis Skuqi, është kërcënuar me jetë.

Në banesën e këtij të fundit në qytetin e Gjirokastrës persona të paidentifikuar gjatë ditës së sotme kanë vendosur një kokë të prerë dhie, si formë kërcënimi ndaj tij, gjatë kohës që ky i fundit nuk ndodhej në banesë.

Mirëpo po për të njëjtin gazetar pak më herët Partia Demokratike deklaroi se gazetari Skuqi ishte kërcënuar menjëherë pas botimit të shkrimit investigativ në lidhje me magazinat e drogës dhe rrugët e transportit të saj në Kardhiq të Sarandës.

“Gazetari Skuqi ka zbuluar gjithë mekanizmin e grumbullimit të drogës dhe shpërndarjes me mjete të ndryshme transporti duke përfshirë dhe avionët e vegjël. Gazetari ka lënë një shënim ku thotë se në numrin e nesërm ai do të vijojë me botimin e të tjera fakteve tronditëse. Publikimi i këtyre të dhënave mesa duket ka prishur qetësinë e personave të përfshirë në këtë trafik të çmendur droge dhe ka prishur rehatinë e shefave politikë të narkotrafikantëve. “Si shumë të lirë e ke dorën, por ta skuqim mir ne, legen” , këtë mesazh i kanë dërguar gazetarit sot në orën 9 e 8 minuta të mëngjesit. Kërcënuesi ka bërë kujdes të mos lërë gjurmë, duke përdorur metodat e dërgimit të mesazhit përmes internetit”, deklaroi Silvi Bardhi, koordinatorja për mediat në selinë blu.

Më tej në emër të PD, ajo dënoi shantazhin ndaj shtypit opozitar dhe i kërkoi qeverisë dhe Kryeministrit të marrë masa.

Sipas saj, vetë trafiku i drogës në këto përmasa, por dhe kërcënimi i gazetarëve që shkruajnë për të, nuk mund të bëhen pa dijeni dhe pa bekimin e Kryeministrit dhe ministrave të tij./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit