
Tiranë, 19 prill 2014, NOA.al- Partia Demokratike ka dënuar atë që e ka quajtur sulmin e ri të dyshes Rama-Meta mbi institucionet e pavarura.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se mazhoranca po i heq një kompetencë tjetër Presidentit të Republikës duke i marrë atij të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së.
Sipas tij, emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një mekanizëm kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Bylykbashi tha se me heqjen e kompetencës së Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së, ndërsa shtoi se pavarësia e këtij institucioni është themelore për besueshmërinë e luftës kundër korrupsionit të qeveritarëve.
“Me ILDKP-në nën kontrollin e kësaj dysheje, antikorrupsioni i ILDKP-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme. Që këtej e tutje, ILDKP-ja do certifikojë si noter i bindur pasuritë e qeveritarëve të rinj dhe do të përdoret si kamzhik politik ndaj kujtdo që u del kundër. Partia Demokratike denoncon këtë sulm të ri hakmarrës ndaj Kreut të Shtetit. Ky sulm është në vazhdën e sulmit ndaj kompetencave të Presidentit dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat ai është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm. Gjithashtu, mazhoranca ka zhbërë de facto kompetencën e propozimit te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore”, u shpreh Bylykbashi, duke thënë se qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit që të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta, që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre.
Në vijim ai theksoi se Partia Demokratike mbështet çdo forcim të ligjit të ILDKP-së që rrit rolin e këtij institucioni në luftën ndaj korrupsionit të qeveritarëve.
Bylykbashi theksoi se shpartallimi i pavarësisë së ILDKP me ndryshimin e procedurës së emërimit vetëm nga mazhoranca dhe duke eliminuar Presidentin, e kthen përfundimisht ILDKP në një kone të butë të dyshes Rama-Meta./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





