Transmetuar më 19-04-2014, 12:13

Durrës, 19 prill 2014, NOA.al/K.Kotorri- Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona, të akuzuar si të përfshirë në aktivitetin e trafikimit të lëndëve plasëse në rrethin e Krujës.

Operacioni në fjalë u kodua “Detonatori”, ku në orët e para të mëngjesit të sotëm u bë arrestimi i 28 vjeçarit Dorjan Picorri, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë, të cilit iu gjet me vete një sasi e konsiderueshme tritoli.

Ndërkohë disa orë më vonë, u realizua edhe kapja e 34 vjeçarit Saimir Ajazi, 34 vjeç, lindur në Krujë dhe me banim të përkohshëm në Tiranë.

Burime zyrtare nga policia i thanë Noa.al, se rreth mesditës së sotme u vu në pranga edhe Redi Ndreu 24 vjeç, ndërsa vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë.

Në cilësinë e provës materiale të ndaluarve iu gjet dhe sekuestrua sasia prej 100 kallëpe tritol, të destinuara per tregun e brendshëm kriminal në qarkun e Durrësit.

Bazuar në hetimet e deritanishme rezulton se anëtarët e këtij grupi kriminal janë autorët e mundshëm të shpërthimit me eksploziv të ndodhur mbrëmjen e djeshme në komisariatin e policisë së Fushë Krujës.

Dyshohet se autorët kanë hedhur tritol në komisariatin e Fushë Krujës në momentin që efektivët e këtij komisariati i kanë ardhur në ndihmë policisë së Durrësit, teksa këta të fundit ishin të përfshirë në një operacion për kapjen e personave që merreshin me tregtinë e lëndëve plasëse.

Gjithçka dyshohet të ketë ndodhur për për tu tërhequr vëmendjen unoiformave blu, me synim që të shpëtonin bashkëpunëtorët e tyre të cilët ishin vënë në shënjestrën e policisë./k.k/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit