
Prishtina rikthehet më në fund te fitorja pas 2 barazimeve dhe një humbjeje në tri javët e fundit të Superligës së Kosovës, citon Supersport.
Kryeqyetetasit nuk u munduan shumë për t’i shënuar 3 gola Trepces, e cila vazhdon të mbetet në pjesën e poshtëme të tabelës, duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria.
Ky ishte suksesi i parë edhe për trajnerin Suat Keci, i cili vetëm pak javë më parë zëvendësoi Afrim Toverlanin.
Miqtë nga Mitrovica rezistuan vetëm 21 minuta lojë, pasi Kastriot Rexha përfitoi nga pasiguria në fazën mbrojtëse të Trepcës duke zhbllokuar sfidën.
Ky gol e goditi psikologjikisht skuadrën e Emin Ajvazit, që në pjesën e dytë mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Edmond Turkut.
Për ta vulosur suksesin Prishtinas menduan Malaj dhe Ahmeti, që i çuan shifrat në 3-0 para se gjyqtari kryesor Besfort Kosumi të vërshëllente për të fundit herë.
Kjo fitore e ngjit Prishtinën të paktën përkohësisht në vendin e dytë në kuotën e 41 pikëve.
Në takimin tjetër të së premtes, Drenicës i mjaftoi një gol për të marrë tri pikët e radhës përballë Feronikelit, që sikurse Trepca rrezikon rënien një kategori më poshtë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





