Transmetuar më 18-04-2014, 13:42

Tiranë, 18 prill 2014, NOA.al- Partia Socialiste nëpërmjet deputetes Olta Xhaçka i cilësoi akuzat e Partisë Demokratike, lidhur me mundësinë e përfshirjes së bazave të ushtrisë në trafik droge si qesharake.

“Partia Demokratike është duke u bërë çdo ditë e më qesharake me akuzat për avionë të padukshëm që ngrihen në qiejt e Shqipërisë. Njëherë nga malet e Gjadrit, njëherë nga kënetat e Divjakës e njëherë nga rruga e Tepelenës. Askush nuk i ka parë këta avionë imagjinare, përveç ish kryetarit të PD Berisha dhe zëdhënësit të sotëm Basha”, tha Xhaçka.

Në emër të PS ajo ftoi opozitën të bëhet serioze dhe të ndalojë lumin e akuzave që sipas saj nuk bëjnë asgjë tjetër veçse tentojnë të cenojnë imazhin e vendit dhe të Forcave të Armatosura, me të vetmin qëllim, marrjen nën mbrojtje politike të ish zyrtarëve të lartë të ministrisë së mbrojtjes të zhytur deri në fyt në korrupsion.

Ajo theksoi se Prokuroria ka nisur hetimet, me kërkesë të Ministres së Mbrojtjes.

Po ashtu deputetja socialiste deklaroi se nëse opozitës i ka mbetur qoftë edhe një fije serioziteti, pretendimet e saj le t’i paraqesë në Prokurori./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit