

Ankara, 18 prill 2014, NOA.al- Ministri Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Turqi, u prit nga homologu Ahmed Davutoglu.
Gjatë takimit ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe nivelet.
Në vijim u theksua se të dy vendet do të institucionalizojnë marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet një Këshilli të Nivelit të Lartë, si instrument për të strukturuar bashkëpunimin në fusha të rëndësishme si politika e jashtme, bashkëpunimi ndërkombëtar, drejtësia, punët e brendshme, çështjet e sigurisë, mbrojtja, ekonomia, energjia, mbrojtja e mjedisit, kultura, arsimi dhe shkenca.
Përtej sektorëve tradicionalë, si infrastruktura dhe energjia, dy homologët shkëmbyen mendime mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, turizmit, kulturës dhe arsimit.
Në fjalën e rastit ministri Bushati u shpreh se, “Falenderova Qeverinë turke, në emër të Qeverisë shqiptare, për përpjekjet e dëshmuara në funksion të jetësimit të projektit TAP, si një projekt i një rëndësie strategjike, i cili do të mundësojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe të gazit në Evropë dhe, mbi të gjitha, do t’i japë një kuptim më të madh paqes e stabilitetit rajonal, duke lidhur Kaspikun me Adriatikun”.
Nga ana e tij, ministri Davutoglu ofroi mbështetjen e pakursyer të Republikës së Turqisë në të gjitha fushat e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë.
Ministri Bushati shprehu interesin e Qeverisë shqiptare për shtimin e investimeve turke në vendin tonë, në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, si dhe siguroi se Shqipëria ofron një klimë të sigurt për nxitjen e investimeve turke, nëpërmjet një kuadri ligjor të kompletuar që garanton mbarëvajtjen e tyre.
Ministrat Bushati dhe Davutoglu vlerësuan bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe të gjitha projektet e përbashkëta ku, sot për sot, ushtria shqiptare është në krah të ushtrisë turke.
Palët biseduan gjithashtu mbi rolin, kontributin dhe nevojat e komunitetit shqiptar në Turqi, atij të hershëm por edhe të ri, si dëshmi e lidhjes tradicionale mes dy vendeve tona.
Gjatë takimit, në praninë e dy Ministrave, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në fushën e teknologjisë se informacionit./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





