Transmetuar më 18-04-2014, 12:25

Tiranë, 18 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga selia blu deklaroi se Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli kanë informacion lidhur me përfshirjen e bazës së ushtrisë në trafikun e drogës.

Ai ngriti pikëpyetje se pse Kryeministri dhe Ministrja nuk japin llogari para publikut dhe Kuvendit, duke bërë transparencë.

"Qeveria, kryeministri Rama dhe Ministrja Kodheli, kanë informacion. Pse e fshehin atë? Pse nuk japin llogari para publikut, para Kuvendit? Pse i tremben transparencës? Kjo e rëndon edhe më shumë pozitën e tyre dhe ngre dyshime të tjera, dhe pyetje të tjera. Çfarë ka bërë Edi Rama dhe Ministrja Kodheli në momentin që janë informuar se bazat e ushtrisë mund të jenë përdorur në trafikun e drogës? Çfarë qëndrimesh kanë mbajtur? Çfarë masash kanë marrë? Kjo është një çështje e rëndësisë kapitale dhe nuk lë vend për shaka e lojëra kukafshehti. Kjo çështje vë në provë shtetin, republikën tonë, anëtare në NATO. Partia Demokratike dhe mbarë shqiptarët janë thellësisht të shqetësuar dhe shumë seriozë për këtë pikë. Ndaj kam udhëzuar deputetët tanë të kërkojnë sërish që Ministrja e Mbrojtjes të paraqitet në Komisionin e Sigurisë dhe të dëshmojë se çfarë di ajo rreth informacioneve mbi përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së forcave të armatosura nga narkotrafikantët, dhe çfarë masash ka marrë”, deklaroi kreu i opozitës.

Ai theksoi se PD mbështet Prokurorinë në hetimet mbi këtë çështje, ndërsa nënvizoi se një deputet i maxhorancës bëri të ditur se ekziston informacioni lidhur me këtë çështje./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit