
Tiranë, 18 prill 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani i pranishëm gjatë konferencës gjyqësore kombëtare, deklaroi se drejtësia kërkon standarde të reja.
Ai theksoi se reformat në drejtësi janë të domosdoshme, duke shtuar se reformat në sistemin gjyqësor nuk duhet të udhëhiqen nga politika, por nga strukturat e gjyqësorit.
Sipas tij sistemi i drejtësisë ka probleme, por duke ndjekur modelet europiane, këto problematika mund të zbehen falë edhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë.
Presidenti nënvizoi se reforma duhet ti shërbejë atij sistemi për të cilin ngrihet dhe jo atyre që duan ta vendosin drejtësinë nën kontroll, ndërsa mbi të gjitha reforma duhet ti shërbejë qytetarit shjqiptar.
Gjithashtu Kreu i Shtetit shprehu bindjen se gjyqtarët shqiptarë kanë nevojë që të trajtohen më mirë ekonomisht, pasi në këtë mënyrë do të konsolidohej edhe sjellja e tyre profesionale.
Nga ana e tij Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, u shpreh se institucionet e drejtësisë janë të brishta para korrupsionit.
Sipas tij publiku ka mungesë besimi te drjetësia, ndaj deklaroi se duhet punuar më shumë në këtë drejtim.
Ministri theksoi gjithashtu se duhet të përmbyllet çështja e emërimit të magjistratëve, ashtu sikundër edhe për gjyqtarët në Gjykatat Administrative.
Ndërkohë në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori deklaroi se ka ende të meta në shërbimin gjyqësor.
Sipas tij korrupsioni është problemi më i dëmshëm në sistemin gjyqësor, ndërsa theksoi se ky sistem duhet pastruar nga gjyqtarët e korruptuar dhe të pandershëm.
Megjithatë ai shprehu bindjen se pjesa më e madhe e tyre punojnë me devotshmëri dhe përkushtim, ndërsa apeloi që të rrisin më tej profesionalizmin./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





