Transmetuar më 18-04-2014, 06:37

Rrallë herë mund të ndodhë që familja të jetë e plotë në ndonjë vakt të ditës. Tryezat e mëdha që dikur nuk i merrnin dot të gjithë anëtarët e familjes, ndërsa kishte raste që lugët mund të përdoreshin me "turne" për shkak se nuk mjaftonin, sot mbushen vetëm në fundjavë, ose në raste festash.

Shoqëria shqiptare po kalon një periudhë të gjatë tranzicioni, e tërhequr nga rrymat moderniste, ndërsa familjet po bëjnë gjithnjë e më shumë një jetë individualiste. Ajo çfarë i bashkon më së shumti, zakonisht pasdite vonë ose në darkë është vetëm televizori.

Por, edhe ky është një problem më vete. Shpesh herë, në vend që t’i afrojë, që të tregojë familjen e madhe, dashurinë e mallin për orët e qëndruara larg, ndodh e kundërta; sa qesharake aq edhe e vërtetë: Sherri për pultin e televizorit!

Të zihesh për pultin e televizorit… 

Kush e kap i pari, ndihet…pronar. Në një kohë kur shumica e familjeve shqiptare nuk kanë dhoma për çdo anëtar dhe televizori është i përbashkët, telekomanda e tij konsiderohet si privilegj. Këtu nis dhe sherri…Pas zërave të lartë, më në fund bien në qetësi.

Të gjithë shohin të njëjtën gjë; si fëmijët, adoleshentët, prindërit apo gjyshërit. Duke qenë se zakonisht në darkë shfaqen filma apo telenovela, shpesh herë ndodh që fëmijët të ballafaqohen me skena dhune, tmerri, erotike, etj.

"Mbylli sytë se po puthen", dëgjohen zakonisht zërat e shqetësuar prindërorë sa herë shfaqet një çift në ekran, por…harrojnë të thonë të njëjtin paralajmërim kur bëhet fjalë për filmat me dhunë, edhe pse shpesh tërheqja e vëmendjes është me shumë vonesë.

Prindër në karrierë

Dilema ka qenë dhe mbetet duhet të kontrollohen televizionet apo fëmijët për çfarë shikojnë?

E ndërkohë që prindërit çdo ditë e më shumë janë të angazhuar në punë për të siguruar jetesën fëmijëve, televizioneve u mbetet si detyrë të bëjnë më tepër kujdes.

"Ahh, sa mirë ja bëri që ia preu kokën se ishte i keq…" – kjo shprehje e thënë nga një 12-vjeçar, që shikon një film horror në mes të ditës, nuk bën gjë tjetër vetën ngjall urrejtje brenda tij.

Këto filma, spektakle shpeshherë bëhen objekt imitimi tek fëmijët. Kur bëhen edhe filmat vizatimorë, që çdo ditë e më shumë vajzat e vogla duan të jenë si "barbi" dhe djemtë si "supermeni", situata është më kritike kur shikohen filma me seks apo me dhunë.

Ato që servir televizioni bën të mundur që tek fëmijët dhe adoleshentët të krijohen përshtypje të gabuara se për të qenë bashkëkohor, modern, duhet të: drogohemi në moshën adoleshente; duhet të konsumojmë alkool; duhet të dhunohemi seksualisht; duhet të ushqejmë incestin në familje; duhet….!?

Shembuj të tillë po shtohen përditë në shoqërinë shqiptare, ku fëmijët ngacmojnë seksualisht bashkëmoshatarët e tyre, ose po imitojnë lojëra me dhunë.

U fokusuam tek fëmijët dhe adoleshentët, por filma të tillë ndikojnë edhe tek të mëdhenjtë. Mjafton të hedhim një sy në gjykatë, sa raste dhune apo vrasje makabre janë regjistruar vitet e fundit.

Si ndikon TV?

Ekzistojnë edhe teori që dhuna në film dhe TV, nuk ka ndonjë ndikim në sjelljen agresive të fëmijëve. Akoma më tepër, disa teori shkencore pohojnë se, dhuna në TV dhe film ka rolin e një "ventili sigurues për zbrazjen e impulseve agresive". Këtë teori, deri vonë, i mbronte teoria e quajtur Katarsis Teori (pastrimit shpirtëror).

Hulumtuesit e mediave masive luhaten të kundërshtojnë apo të vërtetojnë ekzistimin e një lidhshmërie dhe ndikimi midis filmit me dhunë (ose/dhe lojërave elektronike) dhe sjelljes reale agresive të përditshme.

Por, për fat të keq, gjithnjë e më shumë, ekzistojnë shembuj mbi vrasje, të cilat për ditë e më shumë u përngjajnë skenave të përgjakshme të filmit.

Raporti i hulumtuesve amerikanë "Media violence and the American public", i shkruar nga psikologu Brad J. Bushman dhe Craig A. Anderson dëshmon se, 60 për qind e programeve tele-vizive amerikane përmbajne dhunë.

Një nxënës amerikan para se të fillojë të ndjekë shkollën fillore ka parë më shumë se 8 000 vrasje dhe më shumë se 100 000 akte dhune. Sipas hulumtuesve amerikanë, video lojërat kanë përbërje mbi 85 për qind dhunë dhe seks.

Para publikimit të këtij raporti mbizotëronte bindja se, lidhshmëria në mes dhunës në film/TV dhe agresionit/dhunës në shoqëri nuk është aq e qartë.

Dhe kjo për faktin se, hulumtimet, ishin shumë të diskutueshme dhe me rezultate kundërthënëse.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit