
Tiranë, 17 prill 2014, NOA.al- 25 vjet burg është vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës, për Ardian Prrenjasin i njohur ndryshe si “monstra i Laprakës” për shkak të aktivitetit të tij kriminal dhe abuzimeve pedofile.
Në vendimin e dhënë nga gjykata u tha se Prrenjasi nuk ka të drejtë të fitojë liri me kusht, ndërsa ky vendim ishte i njëjtë me dënimin e kërkuar nga Prokuroria.
Ardian Prrenjasi i cili u arrestua në marsin e një viti më parë, akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturit.
46 vjeçari Prrenjasi akuzohet për rastin e rrëmbimit dhe abuzimit me 10 vjeçarin A.C., në zonën e Laprakës.
10 vjeçari i rrëmbyer u gjet në banesën e Prrenjasit në zonën e Laprakës, i dhunuar dhe i abuzuar seksualisht, afro një vit më parë ku mbahej peng nën kërcënimin e thikës.
Denoncimi për zhdukjen e fëmijës u bë nga familjarët e tij, pasi vogëlushi nuk po kthehej në shtëpi. Pas dyshimeve dhe informacioneve të policisë u bë kontrolli në banesën e Përrenjasit, ku u gjet dhe i mituri, ndërsa i pandehuri akuzohet se ka kryer me të miturin veprime të turpshme si dhe ka abuzuar seksualisht me të.
Ndërkohë Prrenjasi dyshohej edhe për zhdukjen e 10 vjeçarit Julian Çela, pasi vetë ai ka deklaruar se e ka vrarë, duke thënë madje se trupin e tij e kishte hedhur në varrezat e Sharrës, por lidhur me këtë rast nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare, për shkak të mungesës së provave./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





