
Tiranë, 17 prill 2014, NOA.al- Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi denoncoi sot modifikimin e kritereve të tenderit në kundërshtim me ligjin, e cila sipas saj i hap rrugë abuzimeve dhe kërcënon shëndetin publik.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputetja Voshki tha se, “Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka ndërhyrë në tenderin e ilaçeve, në kundërshtim flagrant me ligjin duke i hapur rrugën një abuzimi skandaloz me financat dhe me sigurinë e pacientëve shqiptarë, duke lejuar hyrjen në treg të ilaçeve të paautorizuara”.
Duke bërë publike një shkresë, Vokshi tha se Ministri Beqaj, i ka hapur rrugën falsifikimit të ilaçeve dhe futjes së medikamenteve të rrezikshme për shëndetin, për të kënaqur interesat financiare të grupimeve të farmaceutikës që ndodhen pranë qeverisë dhe atyre që financuan fushatën rilindase.
“Modifikimi i kritereve të tenderit, me urdhër të Ministrit, në kundërshtim të hapur me dy nene të ligjit, është më e pakta vepër penale me pasoja të rënda në komunitet pasi shkatërron sigurinë e mjekimit. Legjislacioni shqiptar e ka të parashikuar qartë rastin kur Ministri ndërhyn në këtë procedurë, dhe sipas ligjit kjo bëhet vetëm në raste katastrofash. E vetmja katastrofë aktualisht, është mënyra se si po qeveriset shëndetësia dhe spitalet në vend”, tha Vokshi.
Duke akuzuar ministrin e shëndetësisë, Vokshi u shpreh se, “në mundësinë më të parë që u jepet, ndërhyjnë në tender, shkelin ligjin, favorizojnë klientelën e tyre dhe vënë në rrezik shëndetin publik duke i hapur rrugën një abuzimi të paprecedent me ilaçet. Ky është modeli i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është ministri rilindas”. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





