
Tiranë, 17 prill 2014, NOA.al- Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shpërndau sot pagesat e dëmshpërblimit për 44 ish të dënuar politikë, të cilët nuk e kishin marrë ende këstin e parë. Ministri i MSR-së, z. Erion Veliaj, u shpreh se dhënia e këstit të parë për këtë grup të përndjekurish ishte një premtim i mbajtur në kohë rekord.
“Para 3 javësh, në institutin e ish të përndjekurve, së bashku më Kryeministrin bëmë një premtim publik dhe shumë njerëz thanë: ‘Djema, folët shumë mirë, por këto fjalë kemi 23 vjet që i dëgjojmë dhe s’kemi marrë ende asgjë. Gjithmonë, kam këmbëngulur të jemi ministri e punëve dhe jo e llafeve, e ja ku jemi sot duke dhënë paratë e dëmshpërblimit”, u shpreh z. Veliaj, i cili vuri në dukje se kauza e ish të dënuarve politikë është përdorur politikisht sa herë ka pasur zgjedhje.
“Në një vend normal, sot do të kishte qenë një ditë e gëzuar sepse sapo kemi bërë një lloj paqe me historinë. Por, në Shqipëri nuk është kështu sepse kjo ditë është vonuar për 23 vjet. Unë kërkoj ndjesë publikisht sepse jemi përfaqësues të shtetit shqiptar dhe pavarësisht se kush është në pushtet, shteti duhet të dijë të kërkojë ndjesë për detyrat që nuk i ka kryer. Sot do të doja të shpërndaja 54 urdhër-pagesat e para nga 560 dosjet, që tashmë i kemi përgatitur dhe trasferuar paratë”, tha ai.
Ministri Veliaj nënvizoi se ka kërkuar që fondi prej 18 milion dollarësh që është vendosur në dispozicion për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve këtë vit, të disbursohet plotësisht brenda vitit. “Ajo që më rezultoi gjatë 8 viteve të shkuara është se fondi që jepej as nuk shpenzohej për shkak të burokracive. Kështu, kam kërkuar që pavarsisht rrethanave, fondi të shpenzohet 100%, në mënyrë që vitin tjetër të shpenzojmë më shumë e të jemi më efiçentë”, deklaroi z. Veliaj.
Nga ana tjetër, ai përmendi faktin se MMSR rikostruktoi në pak kohë Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë me një investim prej 200 mijë dollarësh, me financim nga biznesi. “Ajo që po bëjmë sot është një dëmshpërblim ndaj disa njerëzve. Shumë prej të mirave publike që kemi sot në Shqipëri janë bërë pa pagesë nga njerëz që kanë punuar të dëtyruar, nën dhunë. Prandaj, kjo nuk është çështje politike, por një takim mes shqiptarësh”, shtoi z. Veliaj.
Brenda muajit gusht pritet të përfundojë procesi i pagesave për ish të përndjekurit që nuk kanë marrë këstin e parë, për të cilët janë parashikuar 10 milion dollarë. Ndërkaq, 8 milion dollar të tjerë do të përdoren për të dëmshpërblyer ata ish të përndjekur që janë ende gjallë. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





