Transmetuar më 17-04-2014, 13:03

Tiranë, 17 prill 2014, NOA.al- Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave depoziton në Prokurori një padi për ish titullarin e bordit të Kullimit Kukës, Bujar Shehu, i cili rezulton se ka kryer një sërë shkeljesh në kontratat e lidhura për Rehabilitimin e Kanalit Ujitës Uzina, Kukës.

Nëpërmjet një njoftimi me mediat, kjo ministri bën të ditur, se nga auditimi i kryer rezulton se Bujar Shehu ka lidhur një kontratë në emër të Bordit të Kullimit Kukës dhe operatorit ekonomik Nika shpk me vlerë14 408 960 lekë pa TVSH për realizimin e objektit “Rehabilitimi i kanalit ujitës Uzina, Kukës” në vitin 2012.

Ministria e Bujqësisë, thekson faktin se, afati i kontratës ishte katër muaj, por në katër muaj kompania bëri vetëm 30% të punimeve.

“ Z. Shehu i ka shtyrë kontratën kësaj kompanie në kundërshtim me ligjin. Dhe pse është shtyrë afati i punimeve përsëri nuk është realizuar objekti  për një vlerë prej 6 018 533 lekë. Si rezultat i mosrealizimit të këtij investimi  brenda vitit buxhetor 2012, diferenca e parealizuar është  financuar në vitin 2013 financim i cili përsëri ka rezultuar i parealizuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Gjithashtu, kjo ministri shprehet se, nga kontrolli i punimeve në objekt rezultoi se punimet në këtë objekt dhe sot nuk kanë përfunduar.

Ministria e Bujqësisë i kërkon Prokurorisë të trajtojë gjithë shkeljet e përmendura më sipër. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit