Transmetuar më 16-04-2014, 16:13

Pavarësisht se futbolli ynë vijon të dhurojë polemika mbi gjykimet dhe aleancat e skuadrave, progresi i tij është i madh në krahasim me çdo aspekt tjetër të jetës sociale, shoqërore dhe kulturore në Shqipëri, citon Supersport.

Për këtë sigurisht që meritë të jashtëzakonshme ka dhe investimi në infrastrukturë, një nga prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Tashmë është fakt që të gjithë stadiumet e Kategorisë Superiore kanë terren të ri, pavarësisht se shumica e tyre janë larg kushteve të liçensimit, por kjo për arsye të tjera dhe jo të tapetit të gjelbër.

Në dy sezonet e fundit nuk ka më ankesa për pamundësinë e të luajturit pasi duke përjashtuar “Qemal Stafën”, të gjithë stadiumet e tjera kanë fusha të reja.

Madje shumica e ekipeve kanë edhe fushë stërvitore të re, ndërsa Kukësi dhe Kastrioti kryejnë stërvitje në ish kompleksin Dinamo.

Megjithatë moda e fundit është ndërtimi i stadiumeve të reja, që për hir të së vërtetës ka nisur vite më parë me rikonstruksionet e disa prej stadiumeve ekzistuese.

Kështu, stadiumi i Laçit dhe ai i Skënderbeut njihen si ndër më komodët në futbollin shqiptar të rindërtuar vite më parë, ai i Kukësit pësoi ndryshim rrënjësor në fillim të sezonit të kaluar teksa së fundmi në këtë hartë është shtuar edhe stadiumi i Apolonisë në Fier.

Megjithatë këto stadiume mbeten modest, po të krahasohen me projektet që janë për të rindërtuar stadiumin e Elbasanit “Ruzhdi Bizhuta”, ndërkombëtarin “Qemal Stafa” si dhe projekti më i ri për ndërtimin e shtëpisë së re të Flamurtarit.

Moda e re e futbollit shqiptar tashmë nuk janë futbollistët e superpaguar por stadiumet e reja, çka në botën moderne kanë dhënë fryte për të siguruar një të ardhme më të mirë për vetë klubet.

Ndërkohë që këto projekte kanë nisur ose janë bërë publike, vëmendja shkon edhe tek “Selman Stërmasi” i kryeqytetit apo “Loro Boriçi” i Shkodrës, që presin vendimin për rindërtimin e tyre, që do t’i shkonte për shtat emrin që mbajnë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit