
Kukës, 16 prill 2014, NOA.al- Shqipëria dhe Kosova, kujtojnë sot 15 vjetorin e eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës, ku si pasojë e represionit dhe dhunës serbe ata u detyruan të strehohen në Shqipëri dhe baza pritëse ishte qyteti i Kukësit.
Kryeministri shqiptar Edi Rama në fjalën e rastit, deklaroi se nëpërmjet atij udhëtimi u bë i padukshëm kufiri, nëpërmjet një bashkimi në sakrificën e përbashkët për ti mbijetuar goditjes së fundit në dalje të një tuneli të gjatë.
Ai tha se aleanca e madhe që u bashkua krah për krah shqiptarëve, ndodhi në kushtet kur fundi nuk dihej dhe kur ajo që bënë shqiptarët dhe një qeveri e brishtë shqiptare ishte e jashtëzakonshme, pasi garantoi që aleanca të shkonte përpara pa frikën e flukseve të emigracionit.
Sipas tij pa organizimin që kishte të përfshirë shumë mund dhe solidaritet do të ishte e pamundur të shkohej përpara.
“Falë këmbënguljes së Kryeministrit të asaj kohe Pandeli Majko, një vend shumë i vogël u duk shumë i fortë. Kështu në 100 vjetorin e luftës së parë botërore, Ballkani gjendet në paqe, në kushtet kur një erë tërësisht e re fryn, kur nuk është më konflikti dhe lufta, por paqja dhe bashkëpunimi që i shtyjnë të gjithë drejt njeri tjetrit”, deklaroi Rama.
Ndër të tjera ai shtoi se është një paqe e cila kërkon më shumë Europën në rajon, më shumë bashkëpunim mes vendeve për të kapërcyer pengesat që janë përpara.
Ndërkohë në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi se sot kujtohet një nga ngjarjet më tragjike.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se pa mbështetjen e qeverisë shqiptare në prapavijë, Kosova nuk do mund të kishte arritur të merrte atë mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë që mori.
“Kjo ndihmë e pakursyer bëri që këta civilë të përballonin me lehtësi traumën që kishin pësuar, pasi qytetarët ndanë edhe kafshatën e bukës. Eksodi ishte një provë e madhe dhe ne të gjithë e kaluam me sukses atë stuhi. Sot kombi shqiptar gjendet edhe më i bashkuar”, u shpreh Thaçi.
Gjatë ditës së sotme në qytetin e Kukësit priten aktivitete të shumta argëtuese dhe kulturore, si Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Ansambli Shota, Cirku Kombetar, Qendra Kombëtare e Fëmijëve dhe grupe folklorike nga Shqipëria dhe Kosova, kinema lëvizese, gatime tradicionale dhe panairi i artizanatit.
Po ashtu do të ketë edhe koncert me këngëtarët më të njohur të të gjitha trevave shqipfolëse si dhe shumë aktivitete të tjera./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





