Transmetuar më 15-04-2014, 16:57

Korçë, 15 prill 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, theksoi se deklarimi i plotë i pagës nga bizneset dhe pagesa e kontributeve shoqërore, do të ketë rol kyç në skemën e re të pensioneve.

Gjatë vizitës në ambientet e një kompanie fasoni të sapohapur në Bilisht të Korçës, Veliaj nënvizoi se skema e re e pensioneve që do të hyjë në fuqi në janar 2015, shpërblen vetëm ato kompani dhe individë që deklarojnë pagat reale.

“Është e rëndësishme që bizneset të deklarojnë pagën reale të punonjësve dhe individët të paguajnë të plota kontributet shoqërore sepse vetëm kështu mund të kemi një skemë të shëndoshë pensionesh. Skema e re do t’i gjejë më të përgatitura këto kompani sepse kjo reformë shpërblen kompanië dhe individët që deklarojnë pagat reale”, u shpreh Veliaj.

Në vijim ai tha se vlerësimi i fundit i Standard & Poor’s e bën Shqipërinë më të besueshme tek investitorët.

Nga ana tjetër, Veliaj përmendi faktin se qeveria po përgatitet të kalojë shumë shpejt paketën fasone. “Kjo paketë nënkupton se tatimi i fitimit prej 3.5 milion dollarësh, që merret nga kompanitë fasone, do t’u rikthehet sërish atyre në formë grantesh, nëpërmjet fondit të punësimit, me të cilat mund të paguajë sigurimet shoqërore”.

Po ashtu ministri u bëri thirrje investitorëve që të vazhdojnë të përdorin zyrat e punës për të rekrutuar stafet e tyre./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit