Transmetuar më 15-04-2014, 16:11

Tiranë, 15 prill 2014, NOA.al- Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, në zbatim të ligjit “Për Profesionet e Rregulluara”, po përgatitet për zhvillimin e Provimit të Praktikës, ose siç njihet ndryshe, Testimi i Aftësimit Profesional, për të gjithë kandidatët për infermierë, mami, teknikë laboratori, teknikë imazhierie, logopedistë dhe fizoterapistë.

Presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi, bën me dije se në këtë provim praktike, do të hyjnë të gjithë ata kandidatë që e kanë mbaruar një fakultet të akredituar, janë të regjistruar tek urdhri profesional, si edhe kanë zhvilluar tre muajt e praktikës e janë vlerësuar pozitivisht rreth saj, duke mundësuar në këtë mënyrë nënshtrimin ndaj këtij testimi të aftësimit të tyre profesional.

Mësohet se në këtë testim do të marrin pjesë rreth 1600 veta, dhe pas tij, të gjithë ata që e kalojnë atë, kalojnë tek Provimi i Shtetit, pikërisht ai teorik, i cili zhvillohet tek Agjencia Kombëtare e Provimeve të Shtetit.

Testimi i Aftësimit Profesional do të zhvillohet nga data 20 deri në datën 30 prill. Kurse listat janë publikuar tashmë në faqen zyrtare të UISH-së me ditët dhe oraret e përcaktuara për secilin nga profilet përkatës.

Nga ana tjetër, datat e Provimit të Shtetit do t’i shpallë Agjencia Kombëtare e Provimeve të Shtetit, ku për të, do të regjistrohen rreth 1700 veta, sepse këtu shtohen edhe ata që hyjnë për herë të dytë, të tretë, madje edhe të katërt e të pestë, sepse kjo në fakt është hera e pestë që zhvillohet një provim i tillë.

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë sqaron gjithashtu se janë rreth 500 veta të cilët figurojnë si përsëritësa që regjistrohen për provim, ku për herë të pestë janë vetëm disa, sepse ka njëfarë frike prej tyre pasi, pas dhënies për herë të pestë të provimit, nuk do të kenë më të drejtën e hyrjes në Provim të Shtetit.

“Duke ardhur nga viti në vit, ne jemi duke e përmirësuar mënyrën e dhënies së provimit dhe duke e rritur kërkesën e llogarisë, në mënyrë që të rritet edhe cilësia e profesionistëve të kujdesit. UISH, në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë, këtë radhë ka menduar që provimin e dhënies së praktikës, ta shoqërojë edhe me veprime praktike, e jemi duke siguruar bazën materiale rreth kësaj, që infermierët gjatë dhënies së testimit të aftësimit profesional, të njohin edhe aparaturat që ne kemi marrë, të njohin edhe materialet, të bëjnë edhe veprime praktike në prani të komisionit, për të testuar kështu sa më mirë aftësitë e tyre profesionale. Kjo në fakt, është një gjë e re dhe ne nga viti në vit, ndërsa ne kemi ardhur duke i përsosur kërkesat e llogarisë, mënyrën e dhënies së provimit, gjithnjë me qëllimin që të rritet cilësia e profesionistëve të kujdesit. Prandaj, ne tani kemi menduar që ta rrisim pak kërkesën e llogarisë në praktikë, për të ditur tamam se sa kandidatët janë në gjendje që të zotërojnë aparaturat apo metodat e përgatitjeve dhe të ndërhyrjeve të caktuara etj. Ndaj në këtë provim, po sigurohen edhe manekinë, në mënyrë që ata të demonstrojnë para komisionit, siç duhet, aftësitë që zotërojnë në ushtrimin e profesionit të tyre”, sqaron Skënderi./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit