Transmetuar më 15-04-2014, 15:26

Tiranë, 15 prill 2014, NOA.al- Ministria e Drejtësisë ka bërë kallëzim penal, në Prokurorinë e Tiranës, mbi mungesën e dokumetacionit lidhur me inspektimet për tre gjyqtarë.

Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë bëhet e ditur se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë, kërkesat për vlerësimin e fillimit të procedimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Durrësit, SH.P., dhe gjyqtares së Gjykatës së Korçës, E.M., së bashku me dokumentacionin shoqërues.

Gjithashtu nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, është kryer inspektim në Gjykatën e Lezhës, dhe ka filluar procesi i verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve proceduriale të gjyqtares të kësaj gjykate, P.A.

Gjatë analizimit të materialeve dhe kryerjes së veprimeve përkatëse si njoftimi i gjyqtarëve, në përfundim materialet i janë dërguar për vlerësim ish-Ministrit të Drejtësisë, nëpërmjet tre memove për secilin nga gjyqtarët.

Nga verifikimi në protokollin e Ministrisë së Drejtësisë, rezulton e depozituar një nga 2 kopjet e secilës memo drejtuar ish-Ministrit të Drejtësisë.

Kopja e materialit e dërguar për vlerësim ish-Ministrit të Drejtësisë, nuk gjendet në protokoll dhe për pasojë ka penguar vazhdimin e ecurisë të këtyre procedimeve, për shkak të kalimit të afatit ligjor të parashikuar në nenin 34 të ligjit Nr.9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Sipas këtij parashikimi, fillimi i procedimit mund të bëhet jo më vonë se 1 vit nga data e konstatimit të shkeljes nga organi që ka të drejtën për fillimin e këtij procedimi, por jo më vonë se 5 vjet nga data e kryerjes së shkeljes.

Në rastin e gjyqtares Sh.P., ky afat ka filluar në dt.21.03.2013, për gjyqtaren E.M., ky afat ka filluar në dt 02.04.2013, ndërsa për gjyqtaren P.A., ky afat ka filluar në dt.03.04.2013.

Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, u kryen të gjitha verifikimet e nevojshme në rrugë administrative dhe në përfundim u evidentua mungesa e këtij dokumentacioni.

Duke qenë se kopja e materialit drejtuar për vlerësim ish-Ministrit të Drejtësisë, nuk gjendet, si pasojë ka dështuar procedimi disiplinor ndaj këtyre gjyqtarëve, ndaj dhe është kërkuar fillimi i çështjes penale dhe një hetim i plotë për individualizimin e përgjegjësisë penale./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit