
Tiranë, 15 prill 2014, NOA.al- Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Arben Ristani ka dhënë alarmin për shtimin e trafikut të drogës dhe mungesën e efiçencës së policisë për të bërë të mundur kapjen e saj.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputeti Ristani u shpreh se, “1.4 tonë drogë i ka shpëtuar kontrollit të kufirit shqiptar, ka kaluar nën hundën e autoriteteve tona, në mos me bashkëpunimin e tyre, dhe u kap dje në Bari. Kjo vërteton edhe një herë shqetësimin e opozitës dhe të opinionit publik në Shqipëri, se segmente të rëndësishme të shtetit dhe anëtarët e qeverisë janë përfshirë në këtë trafik, duke e kthyer edhe një herë vendin tonë në listën e zezë të drogës”.
Ristani tha se, droga e kapur dje në Itali, si një medalje e re në gjoksin e Tahirit, konfirmon gjithashtu mashtrimin me shifrat qeveritare dhe të vërtetën e përkeqësimit të treguesve të rendit dhe lëshimit skandaloz të punës nga drejtuesit e policisë.
“Kjo medalje, por edhe medaljet e tjera që dalin nga mesazhi i Edi Ramës për Saimir Tahirin, e bëjnë edhe më urgjente rritjen e koshiencës për situatën. Ngjarja e fundit e bën edhe më urgjente thirrjen e Ministres së Mbrojtjes për të dëshmuar në Komisionin e Sigurisë lidhur me informacionet që ekzistojnë për përdorimin e forcave të armatosura në trafikun e narkotikëve, cka mund të rezultojë një medalje e re edhe për ministren në fjalë”, u shpreh deputeti i PD.
Ai tha se, droga e kapur dje në Itali është në serinë e këmbanave të alarmit, dhe kjo dukuri po shqetëson tashmë jo vetëm vendet fqinje, por gjithë Europën.
Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit që të marrë masa të menjëhershme dhe të ndalojë këtë trafik të çmendur droge, që nuk mund të zhvillohet pa dijeni dhe pa bekimin e tij dhe të ministrave të tij.
Ristani tha se, Partia Demokratike nuk mund të pajtohet me damkosjen e imazhit të vendit dhe me zhbërjen e gjithë reformave dhe punës së realizuar në vite për sigurimin e kufijve dhe për nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e zezë e drogës. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





