
Tiranë, 15 prill 2014, NOA.al-Ka nisur në Tiranë gjyqi ndaj Arben Frrokut, i cili akuzohet për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamajt.
Në seancën e sotme ka dëshmuar bashkëshorja e Dritan Lamajt, Anila Lamaj.
Gjatë dëshmisë së saj, bashkëshortja e kryekomisarit u shpreh se, “në momentin e vrasjes isha në shtëpi dhe dëgjova breshëri automatiku jashtë. Nisa t’i telefonoj Dritanit. Nuk m’u përgjigj njëri dhe kam zbritur poshtë. Më thanë se Dritani është plagosur”.
Më tej Anila Lamaj e vijon dëshminë e saj duke theksuar faktin se, “bashkëshorti i saj përveç probleme me Arben Frrokun nuk di të ketë pasur probleme me njëri tjetër. Para se të vritej ai ka pasur shqetësime në lidhje me transferimin. Mua nuk me thoshte gjë, pasi unë vuaj nga zemra”.
Anila u shpreh ne seancë se ajo personalisht nuk i ka parë vrasësit, por i kanë thënë të tjerë se mbi bashkëshortin e saj kanë qëlluar tre persona të maskuar, të cilët kishin hipur në një makinë tip “BMË”.
Ajo deklaroi se nuk e ka njohur me parë Frrokun, por vetëm pas vrasjes së bashkëshortit të saj.
Gjithashtu në seancën gjyqësore ndaj Arben Frrokut, motra e Dritan Lamajt, Esmeralda Lamaj.
Në dëshminë e saj ajo u shpreh se vëllai i saj i ka thënë se Arben Frroku e ka kërcënuar me jetë.
“Pak para ngjarjes kemi folur ne telefon. Dritani po më priste se do të iknim tek tezja . E kuptova se kishte vdekur kur pashë makine e tij. Dritani më kishte thënë se kishte konflikte me Arben Frrokun dhe më kishte këshilluar që të bëjë kujdes”, është shprehur motra e kryekomisarit. /e.gj/noa.al/
Motra: Frroku e kërcënoi me jetë dy ditë para vrasjes
Bashkëshortja e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe e motra e tij, kanë lëshuar deklarata të forta dje në Gjykatë kundër Arben Frrokut, personi kryesor i akuzuar për ekzekutimin e kryekomisarit. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë në ngarkim të Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e Komisarit të Policisë, Dritan Lamaj, janë thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre para trupit gjykues, Esmeralda Lamaj, e motra e komisarit të vrarë dhe Anila Lamaj, bashkëshortja e tij.
Dëshmi edhe më të forta vijnë prej motrës së komisarit të vrarë Dritan Lamaj. Esmeralda Lamaj, deklaroi në Gjykatë se Dritani i kishte thënë se, Frroku e ka kërcënuar me jetë. “Para ngjarjes, Tani më ka folur për Arben Frrokun që kishte konflikte, ai më këshillonte të kisha kujdes. Në një bisedë dy ditë para vrasjes, Tani më tha: “Arben Frroku më ka kërcënuar me jetë, bëj kujdes motër, jemi në Shqipëri”. Ajo deklaroi se, vetëm pak çaste para vrasjes ka biseduar me Lamajn në telefon, pasi komisari e priste në makinë për ta çuar tek tezja.
Bashkëshortja: Dritani kishte konflikte vetëm me Frrokun
Bashkëshortja e kryekomisarit të vrarë, Anila Lamaj deklaroi para trupit gjykues se, Dritan Lamaj nuk kishte konflikte me persona të tjerë, por vetëm me Arben Frrokun. Anila Lamaj tregoi se, ka dëgjuar një breshëri automatiku dhe menjëherë pas kësaj i ra telefonit të bashkëshortit. “Dritani ka dalë nga shtëpia në orën 18:00. Dëgjova breshëri automatiku në orën 18:25 minuta. Dola në ballkon dhe fillova t’i bija telefonit të Dritanit, por më dilte i zënë. Kam zbritur dhe më kanë thënë që është plagosur dhe kam shkuar në Spitalin Ushtarak”, deklaroi bashkëshortja e Lamajt para trupit gjykues.
Në dëshminë e saj, ajo pohon se përveçse problemeve me të akuzuarin Frroku, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti tjetër të bashkëshortit të ndjerë. “Përveçse problemet me Frrokun nuk di të ketë patur probleme të tjera. E dija që kishte procese të hapura me Arben Frrokun”, deklaroi ajo. Në dëshminë e saj mësohet se, Dritan Lamaj ka pasur shqetësime kur e transferuan.
Anila Lamaj e pyetur në sallën e gjyqit, nëse e ka njohur më parë Frrokun, u përgjigj se nuk e ka njohur më parë Frrokun, por vetëm i shoqi i kishte thënë se ai e ka kërcënuar me jetë. “Nuk e kam njohur më parë Frrokun, vetëm pas vrasjes e kam njohur dhe me fytyrë. Më kanë thënë se, Dritani është qëlluar nga 3 persona të maskuar dhe se autorët ishin me një makinë tip “BMW”, deklaroi ajo para trupit gjykues.
Dëshmitari kyç i Prokurorisë
Arben Ndoka, (emri i rremë) dëshmitar i marrë në mbrojtje, është pika kyçe e dëshmive sepse ky dëshmitar pretendon se, Arben Frroku ka qenë në vendngjarje dhe nuk ka qenë i maskuar. Ai pohon se e njohu menjëherë Frrokun, pasi e njihte si biznesmen të madh dhe sepse janë nga e njëjta zonë. Dritan Lamaj u ekzekutua në 24 shkurt të vitit 2013.
Prokurorët konsiderojnë si provën kyçe dëshminë e dëshmitarit, që ndodhet nën program mbrojtjeje dhe që i është ndryshuar edhe emri, i cili thotë se ka parë pak çaste, pasi u qëllua komisari i policisë, të largohej nga vendngjarja Arben Frrokun, me automjetin nga u qëllua. Sipas Prokurorisë, motivet e krimit ndaj fuksionarit të policisë Lamaj, lidhen me një konflikt në mars 2012 mes komisarit dhe Frrokut, përplasje e cila ka kulmuar në muajin shtator me shoqërimin në Komisariatin Nr.6 të biznesmenit Frroku.
Në dosjen voluminoze të Prokurorisë janë renditur të gjitha provat, me anë të të cilave pretendohet të provohet akuza e rëndë ndaj biznesmenit që ndodhet prapa hekurave. Dritan Lamaj u ekzekutua me 12 plumba pranë shtëpisë së tij në zonën e "Vasil Shantos", pak metra larg nga apartamentit ku banonte. Biznesmeni Frroku u arrestua në Selanik të Greqisë 24 orë pas ngjarjes së rëndë dhe vetëm pak muaj më parë u ekstradua drejt Shqipërisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





