Transmetuar më 15-04-2014, 09:59

Tiranë, 15 prill 2014, NOA.al-  Operacioni i koduar “OIL 1” ka arrestuar në flagrancë dy shtetas dhe ka shpallur një tjetër në kërkim, pasi akuzohen për falsifikim tollonash karburanti.

Policia bën të ditur se shtetasit e arrestuar janë Ilirjan Bajram Hitaj,  54 vjeç, banues në Tiranë, Luan Bujar Qoku,  32 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shitës në një pikë karburanti, si dhe është bërë shpallja në kërkim e shtetasit, Ermir Nelaj, 36 vjeç, banues në  Tiranë, i dënuar një herë për vjedhje.

Në njoftimin e policisë thuhet se, arrestimi i tyre është bërë pasi dyshohet se në tregun e shitjes së karburanteve është hedhur në qarkullim një sasi e konsiderueshme tollonash 20 litërshe “BLU DIEZEL”, me logon  e një firme karburanti, ku janë konstatuar të vjedhura 13960 litra karburant në tollona.

Sipas policisë, nga verifikimet e kryera shtetasi Ilirjan Hitaj, mekanik në një  shtypshkronjë, ka vjedhur këtë sasi tollonash dhe më pas i ka shitur ato tek shtetasi Ermir Nelaj, i cili ka bërë dhe falsifikimin e vulës se kompanisë se karburantit,  duke i tregtuar më pas tek shtetasi Luan Qoku, kundrejt vlerës 150 lekë për litër.

Policia po punon për  identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitet të kundraligjshëm. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit