Transmetuar më 14-04-2014, 19:06

Shkrin akulli mes Skënderbeut dhe tifozerisë korçare. Tashmë situata e nderë që nisi që me disfatën ndaj Tironës dhe akuzat për tolerim duket se kanë marrë fund, citon Supersport.

Presidenti i klubit, Ardian Takaj është treguar dashamirës dhe ka pranuar kërkesën e tifo-grupit “Ujqërit e Dëborës” që deri në fund të sezonit ndeshjet në Korçë të jenë falas, pa bileta për mbështetësit e zjarrtë të skuadrës kampione.

Nëpërmjet një komunikate në faqen e tyre zyrtare në Facebook, “Ujqërit e Dëborës” theksojnë se duke marrë shkas nga gjendja e krijuar si dhe afrimi i Kukësit që e ka shkurtuar brenda pak javëve nga 14 në 5 pikë distancën me kryesuesit, ata dëshirojnë t’i japin një spunto tifozëve, që të gjithë t’i gjenden pranë ekipit duke e mbështetur në këtë moment të vështirë.

Të vetëdijshëm për rëndësinë e lojtarit të 12-të, fansat korçarë e kanë kuptuar se duhen lënë mënjanë mëritë, pasi kryesorja është që skuadra të ketë mbështetjen e nevojshme për të mos rrezikuar titullin e 5-të kampion në historinë e klubit.

Në këtë mënyrë tifozët paralajmërojnë një pjesëmarrje masive në stadium në ndeshjen e javës së 29-të me Besën, në një përballje që pritet të jetë e luftuar maksimalisht për vetë objektivat që ofron për të dyja skuadrat, me Skënderbeun që kërkon me çdo kusht reagimin, ndërsa për kavajasit mund të jetë shansi i fundit për të vazhduar të shpresojnë në luftën për mbijetesë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit