Transmetuar më 14-04-2014, 14:48

Kampion Europe. Një titull që peshon shumë për një vend të vogël si Shqipëria, të pamësuar për të mbajtur mbi shpatulla suksese të tilla, citon Supersport.

Arritja e pabesueshme e Erkand Qerimajt dhe Daniel Godellit në kampionatin europian të zhvilluar në Tel Aviv erdhi disi i papritur për opinionin sportiv, jo për shkak të mungesës së talentit dhe përkushtimit të tyre, por për harresën në të cilën e kemi shtyrë sportin që e ka mbajtur përherë lart flamurin kuqezi.

Djaloshi nga Shkodra, që tashmë e shikon kontinentin nga maja është po ai, i përditshmi, me vuajtjet, djersën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, pavarësisht se tashmë mund të konsiderohet si një emër që ka shkruar historinë e shtangës në vendin tonë.

Erkandi e ndien dashurinë e njerëzve në rrugët e Shqipërisë, por kërkon që në të ardhmen, institucionet të mos zhduken mes 1001 justifikimeve, por të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë.

Erkand Qerimaj thotë : ”Sapo mbërritëm na kanë pritur shumë mirë, por shpresoj që në të ardhmen qeveria të na ndihmojë”.

Në vijim, 26-vjeçari që buzëqeshjen dhe fjalët mikëpritëse i ka në ADN-në e tij, rrëfen momentet e vështira që kaloi pas pezullimit të dy viteve më parë.

”Kam kaluar momente shumë të vështira, por me ndihmën e Zotit gjithçka ka kaluar tashmë”.

Me europianin tashmë të hedhur pas krahëve, shkodrani nuk dëshiron të ndalet këtu, madje ai mendon që në të ardhmen, të shtojë në raftin e tij një medalje me një peshë më të madhe.

Qerimaj tha se synimi i tij është të kthehet me medalje nga botërori i Kazakistanit por edhe nga Olimpiada.

Shumë kampionë të kalibrit të tij kanë zgjedhur një flamur tjetër në të shkuarën, por a është tunduar ndonjëherë Erkandi që nuk ka ndjekur rrugën më të lehtë?

Përgjigja nuk është e vështirë për t’u kuptuar pasi Shkodrani deklaroi se asnjëherë nuk është penduar që s’është larguar nga vendi.

Për trajnerin e kampionit të Europës, Zef Kovaçi, rivaliteti me Godellin mbetet vetëm në arenë, madje ai shkon edhe më tej duke kërkuar që mediat të mos i fryjnë një zjarri që nuk është ndezur asnjëherë, duke theksuar se mediat nuk duhet t’i fusin në një konflikt që nuk ekziston.

Në fund, Kovaçi e pranon se evenimentet e ardhshme janë ura që synojnë t’i katapultojë drejt suksesit në Olimpiadën Rio 2016. Kombëtarja kuqezi e përbërë edhe nga Romela Begaj, Daniel Godelli, presidenti i Federatës, Elez Gjoza dhe trajnerët e peshëngritësve, u pritën në një takim me dyer të mbyllura nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit