
Leo Messi është i pazëvendësueshëm për çdo skuadër ku luan, por në mungesë të tij kombëtarja argjentinase është gjithsesi në gjendje që të përshtatet nëse do të jetë e nevojshme.
Kështu deklaroi trajneri i La Seleccion, Alejandro Sabella, kur mbeten edhe pak javë nga fillimi i Botërorit të Brazilit.
“Kemi luajtur disa ndeshje pa Messin, megjithatë askush nuk mund ta zërë vendin e tij. Kundër Italisë mungoi jo vetëm ai por edhe Aguero dhe ia dolëm të përshtatemi. Kurrë nuk mund të jetë si në rastet kur është i pranishëm, por do të jemi të detyruar të gjejmë zgjidhje të tjera nëse do të jetë e nevojshme”.
Për Sabellan, mungesa e Messit nuk ndihet vetëm te Argjentina, por në çdo skuadër ku ai bën pjesë, pra edhe te Barcelona.
“Asnjë ekip nuk mund të luajë njëlloj me apo pa Messin. Ka një prani të jashtëzakonshme në fushë sa ndihet menjëherë mungesa e tij kur nuk luan”.
Sabella deklaroi më tej se gjithmonë duhet patur një plan B në rast mungese të 4 herë fituesit të Topit të Artë, ndërsa për pritshmëritë në Botëror, ai theksoi se të gjithë në kombëtare duhet të qëndrojnë të qetë dhe me këmbë në tokë për të ecur drejt suksesit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





