
Në pushimin dimëror të skuadrave, të gjithë ishin të bindur se titullin në Superiore mund ta humbiste vetëm Skënderbeu, dhe kur mbeten pesë javë deri në përfundim, skuadra korçare duket se ka bërë maksimumin për ta vërtetuar këtë bindje, teksa diferenca me Kukësin tashmë është reduktuar në vetëm pesë pikë, citon Supersport.
Tre humbje radhazi në kampionat, me tre skuadrat që luftojnë për mbijetesë, Vllazninë, Tironën dhe Flamurtarin kanë bërë që skuadra e Josës të heqë dorën që kishte vendosur mbi trofeun e katërt radhazi të kampionatit, pasojë e gabimeve të saj por dhe e një Kukësi që ka besuar dhe kur të tjerët nuk besonin më.
Harakiri i korçarëve e ka bërë betejën për titullin të ethshme, aq sa tashmë çdo javë duket sikur kthehet në një finale nga këtu e deri në fund.
Në javën e 29-të, Skënderbeu do të duhet të bëjë sërish llogaritë me një skuadër që lufton për të mos u mbytur, Besën.
Dhe duke qenë se thonë që i mbyturi të mbyt, këtë herë ekipi i Josës ka nevojë të rikthehet të notojë fort për të shpëtuar një sezon që dukej perfekt për ta, por që kulmoi brenda pak ditësh me eliminimin në Kupë dhe ngushtimin e diferencës në kampionat.
Gjithsesi, që Kukësi të besojë duhet të bëjë fillimisht llogaritë me Partizanin, që nuk kërkon të dorëzohet në garën për Europën.
Në javën e 30-të, tjetër ndeshje e vështirë për Skënderbeun që udhëton për në Durrës, me Teutën që do rezultat për Europën, ndërsa Kukësi pret Laçin, që gjithashtu mund të jetë një pengesë e vështirë.
Në javën e 31-të, dy skuadrat do të kenë një ndeshje direkte në Korcë, dhe pikërisht kjo sfidë mund të jetë dhe ajo që do të vendosë titullin.
Në javën e 32-të, Skënderbeu do të luajë në kryeqytet me Partizanin ndërsa Kukësi ka një ndeshje të lehtë në letër me Lushnjen.
Kjo mund të jetë dhe java që do të përcaktojë fituesin, pasi Kukësi tre pikët me Bylisin i ka të sigurtë në 90 minutat e fundit, ndërsa Skënderbeu do të luajë në Korçë ndaj Lacit. A do të ketë festë apo jo? Për këtë me shumë siguri duhet pritur ende dhe 450 minuta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





