Transmetuar më 14-04-2014, 09:20

Tiranë, 14 Prill 2014 NOA.al – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i ka dërguar sot Prokurorit të Përgjithshëm, një letër ku i kërkon të publikojë zyrtarisht nëse ky dikaster po hetohet për trafik droge, pas akuzave që hodhi këto ditë opozita.

Në letrën që NOA.al disponon të plotë, drejtuar z.Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, zonja Kodheli i kërkon “reagim të menjëhershëm lidhur me deklaratat më të fundit të bëra publike nga subjekti politik “Partia Demokratike e Shqipërisë”.

“U bënë disa ditë që deputetë të PD po hedhin baltë në drejtim të Forcave të Armatosura duke lëshuar akuza të rënda. Me këtë letër, përsëris shqetësimin tim lidhur me këto akuza përmes të cilave kërkohet që Forcat e Armatosura të bëhen “mish për top nga propaganda antiqeveritare”, – thotë Kodheli.

Kurse kërkon: “Zoti Prokuror i Përgjithshëm, kërkoj prononcimin tuaj nëse keni nisur apo jo hetim, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes të datës 11.04.2014 lidhur me këto akuza dhe në rast se jo, përsëris domosdoshmërinë e nisjes së një procesi hetimor”.

Duke përfituar nga kjo letër, Kodheli thotë se kërkon “shqyrtimin deri në fund dhe në detaj të të gjithë dosjeve që Ministria e Mbrojtjes ka depozituar pranë organit hetimor”. “Kam qenë dhe mbetem e bindur se shqyrtimi i tyre do t’i çlirojë Forcat e Armatosura nga barra e një të shkuare të dëmshme në drejtimin e saj dhe nga rreziku i përsëritjes në të ardhmen të keqpërdorimit të tyre”, – shkruan zonja Kodheli. /a.b/noa.al/

PD: Ushtria e përfshirë në trafik droge, Mbrojtja të japë llogari

PS kundërshton PD: Policia dhe ushtria janë të depolitizuara

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit