
Nga Edison Ypi
Larazati, si e thotë dhe vetë emri, është një gjë me lara.
Pyetjes se ku ndodhet, me se merret, si i ka punët Larazati me lara secili i përgjigjet sipas larave të veta.
Disa thonë se Larazati është një fshat i bukur anës lumit rrëzë malit, ku ke qef të rrish, të flesh, të hash, të pish, ku të kënaq flladi, këndon bilbili, të deh pranvera, të mbush vjeshta, me shtëpi të bukura me avlli dhe kodra të mbjella me një frut që po ta hash të sjell në qef, po ta pish të merren mënt, po ta thithësh të degdis nëpër ëndërra, po ta shesësh mund të përfundosh në burg, po ta çosh në Itali mund të mbytesh në det.
Të tjerë thonë se Larazati nuk është fshat, por vend i shenjtë. Ku shtëpitë janë të gjitha faltore, Xhami, Kisha, Teqe’. E përforcojnë këtë me argumentin se larazatasit fortrrallë dalin nga teqetë e veta. Të tjerët, jabanxhinjtë, as që bëhet fjalë të vënë këmbë në këtë vend të shenjtë të bekuar nga vetë Zoti. Pothuaj të gjithë larazatasit dhe larazataset janë murgj, murgesha, Dervishë, të zhytur në asketizëm të thellë, kërrusur mbi libra të vjetër, studjojnë me stoicizëm murgëror dhe dervishor Historinë e Shqipërisë, si dhe kujdesen nga pak për rritjen e një bime me efekt kurativ, për të vetmin qëllim që nën efektin çudibërës të kësaj bime ajo Histori të bëhet gjithmonë e më e ndritur, gjithmonë e më e lavdishme.
Këta që mbrojnë këtë tezë thonë se vendi i shenjtë Larazat është i vendosur majë një shkëmbi të thepisur ku në harmoni fetare perfekte murgjit dhe dervishët ngjiten e zbresin nga maja e shkëmbit me litarë kërpi. Majë atij shkëmbi nuk ngjitet dot asnjë makinë. Në larazat mund të zbresi helikopteri. Por helikopteri është mjet modern, dhe ky fakt bie ndesh me vjetërsinë e dervishëve larazatas të cilët si jetën dhe vdekjen ja kanë kushtuar vjetërsisë dhe jo modernitetit.
Ka dhe teori të tjera larazatiste.
Thonë, për shembull, se Larazati nuk është as fshat as vend i shenjtë, por patate. Patate e zjerë dhe e nxehtë. Që nuk kafshohet, as gëlltitet, vetëm rrotullohet nëpër gojë shoqëruar me ulurima. Për këtë patate, gojët që e kanë provuar, thonë se është nga gjellët më të shijëshme.
Teoria tjetër mbi Larazatin është ajo që thotë se Larazati është një pusetë ujrash të zeza të cilës ca evgjitë i kanë vjedhur kapakuan dhe e kanë shitur për skrap. Pikërisht përmes kësaj pusete pa kapak futen ata opinionistët e gazetave dhe televizioneve që thonë se disa shkencëtarë në Larazat po eksperimentojnë shndrrimin e urave të zeza në ujra të pijshëm, më vonë edhe të gazuar, si dhe shndrrimin e kakave në hamburgera të shijshëm, dhe disa asortimente të tjera që së afërmi do mbushin tavolinat tona. Por këto studime ende mbahen të fshehta sa kohë komunikimi mes gjirizave dhe sipërfaqes nuk është ende diçka që duhet t’i dali era.
Ka të tjerë që thonë për Larazatin se Larazati nuk është as fshat, as vend i shenjtë me dervisha statikë apo rrotullues, as patate e nxehtë, por orë. Orë muri. Pa akrepa. Me një Qyqe që del ndonjëherë dhe bën Ku-Ku. Jo për të treguar orën. Por, përmes numurit të kuku-ve të tregojë fundet. Sipas këtyre që mbrojnë me ngulm këtë teori, qyqja e kuku-ve del shtatë ditë e shtatë netë para se ato funde të ndodhin. Disa nga fundet që paralajmëron qyqja larazatase e kësaj ore muri janë; fundi i moralit, i trimërisë, i atdhedashurisë, qytetarisë, kulturës, Artit, dellit të punës, dellit të Dashurisë, të respektit, efikasitetit të institucioneve, të Shoqërisë Civile, dhe të gjitha fundet e tjera, duke përfshirë fundin e shtetit dhe fundin e botës. Arësye më se e mjaftueshme kjo për të shpresuar se së afërmi Larazati do bëhet vend pelegrinazhi që do mbledhi të ardhura vjetore të pallogaritëshme sa shumfishi i GDP-së së sotme nga njerëz të cilët me shpresë se eksperiencat larazateske do t’i zbatojnë në vendet e tyre, do vinë në Larazat nga an’ e anës.
Disa teoricinë të tjerë të cilët Larazatit i janë futur edhe më thellë, thonë se Larazati është një sallam. Një sallam i gjatë dhe i trashë sa një shkop polici. Që hahet i tëri ashtu si është, pa u coptuar dhe pa u përtypur. Për këtë sjellin dhe prova të shumta me emër e mbiemër për njërin e tjetrin të cilët pasi e kanë ngrënë këtë sallam, janë ndjerë të lumtur.
Një nga teoritë më të fundit për Larazatin thotë se Larazati është një celular modern, një Smartphone. Nga ata që punojnë me SIM Card të paregjistruara dhe shërben për ndezjen në distancë të tritolit për ta hedhur në erë Shqipërinë.
Disa që nuk e pranojnë si të përsosur teorinë e të qënit të Larazatit celular, e kanë pasuruar atë teori duke thënë se Larazati mund të duket shumçka, por në fakt nuk është asgjë tjetër përveçse një dentierë. Jo si të gjitha dentierat, që hiqen natën për të rehatuar nofullat dhe vihen ditën për të kafshuar tjetrin. Dentiera larazateske hiqet ditën për të kafshuar tjetrin dhe vihet natën për të kafshuar veten.
Nuk janë të pakët ata që thonë se Larazati është një lloj buke për eksport. E bërë me miell Gjirokastre, maja’ Tirane, ujë Çorovode, kripë Vlore, pjekur në tepsi të kallaisura Mallakastre në furrë me dru Tepelene nga mjeshtra furrtarë Fieri.
Studimet më të fundit thonë se Larazati është një vend që kultivon një bimë të cilën, dor’ pas dore, e shet në një vend që quhet Eruopë. Eruopa është ai vendi ku mileti jeton në një sistem të quajtur “Dekromaci”. Ku njerëz të urtë dhe të qytetëruar që kanë mbaruar universitete, kanë llogarira nëpër banka, shetisin në Internet, pasi hanë a pinë, nisin e tymosin bimën e Larazatit, dhe jo rrallë vdesin, nga një vdekje e paralajmëruar, që ka përfunduar në Eruopë, por ka filluar në Larazat.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





